
AFRIKË- Shpesh i konsiderojmë kafshët të ndryshme nga ne, ndonjëherë pothuajse të paafta për të përjetuar emocione të caktuara, por nuk është kështu. Edhe kafshët kuptojnë koncepte që nuk përjetohen vetëm nga qeniet njerëzore, siç është pikëllimi.
Studimet kanë treguar se elefantët, krijesa miqësore dhe inteligjente, nderojnë të vdekurit e tyre përmes ritualeve të funeralit. Ky zbulim vjen nga një studim i ri shkencor i botuar në "Journal of Threatened Taxa", i kryer midis elefantëve aziatikë.
Parveen Kaswan dhe Akashdeep Roy, ekspertë nga Departamenti i Pyjeve të Bengalit Perëndimor dhe Instituti Indian i Edukimit dhe Kërkimit Shkencor, hetuan varrosjet e pesë foshnjave elefant aziatikë.
"Funerali" u krye në Indi, midis pyjeve dhe plantacioneve të çajit të fushave të Himalajeve Lindore. Studiuesit i dokumentuan ato përmes vëzhgimit fotografive dhe ekzaminimeve. Ata zbuluan se elefantët aziatikë përkujtonin të vegjlit e tyre duke klithur.
Por rituali nuk kufizohej vetëm në tingujt e lartë dhe karakteristikë të specieve. Elefantët i mbanin kufomat e vogla për distanca të gjata, diçka që nuk është e mundur për individët e rritur, padyshim më të rëndë.
Trupat më pas u varrosën në një pozicion që studiuesit e përshkruan si "anormal", me këmbët e drejtuara lart. Është interesante të theksohet se pranë vendit të varrimit, u gjetën gjurmë elefantësh të tjerë ndoshta të mbledhur për lamtumirën e fundit.
Varrosjet e të vegjëlve nga elefantët prindër janë diskutuar gjatë në literaturën shkencore. Studimi ofron një kuptim më të thellë të sjelljes së këtyre kafshëve të jashtëzakonshme në ritet funerale, jo aq të ndryshme nga ato të njerëzve./ZËRI