
SHKUP- Presidenti në detyrë i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka shpallur këtë të premte kandidaturën për një tjetër mandat për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill. Kandidatura e tij do të ketë mbështetjen edhe të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) në pushtet, e cila edhe e kishte zgjedhur si kandidat për president para pesë vjetësh.
Gjatë fjalës së tij pas shpalljes së kandidaturës Pendarovski u shpreh se do të kandidojë pasi gjatë mandatit të tij në krye të shtetit të Maqedonisë së Veriut nuk është përfshirë në asnjë aferë korruptive, nuk ka pasur asnjë gabim strategjik dhe nuk është akuzuar kurrë për nepotizëm në institucion.
Stevo Pendarovski: Arsyeja e parë e kandidimit është se po e përfundoj mandatin e presidentit pa asnjë aferë korruptive, pa asnjë gabim strategjik, asnjë rast të nepotizmit lidhur me familjen apo bashkëpunëtorët e mi. Isha koordinator nacional për NATO-n dhe gjatë mandatit tim të parë u bëmë anëtare e Aleancës Veriatlantike. Gjatë mandatit të dytë pres që të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Unë gjatë mandatit tim kam refuzuar disa kërkesa të partive politike dhe jam i bindur se sikur të isha zgjedhur në Kuvend, po atë ditë do të shkarkohesha nga pozita e presidentit.
Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për president të Maqedonisë së Veriut është 8 marsi. Ndërkohë opozita maqedonase VMRO DPMNE, më 2 mars do të prezantojë Biljana Siljanovska-Davkovën si kandidate për presidente./ZËRI