
PRAGË- Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale të Republikës Çeke, Marian Yuretska po i rrezikohet karriera, vetëm për një mesazh. Ai është kritikuar për sjelljen e tij në ditën e sulmit në Pragë që la 14 të vdekur. Opozita akuzon politikanin demokristian se nuk ka anuluar festën e Krishtlindjeve që po zhvillohej në ministrinë e tij kur dolën informacionet e para për sulmin e armatosur në universitetin e kryeqytetit.
Më 21 dhjetor, një student vrau 14 persona në Universitetin Charles në Pragë dhe plagosi 25 para se të bënte vetëvrasje. Ministri pretendon sot se nuk e kishte parë celularin e tij dhe se ishte "plotësisht i painformuar", ndërsa shtoi se mesazhin e parë e mori vetëm në orën 18:26 të pasdites, disa orë pas sulmit.
Raporti thotë se Yuretska fillimisht pretendoi se ishte larguar nga ministria në orën 21:00, por më vonë pranoi se u kthye sërish në punë për të zhvilluar një mbledhje urgjente rreth orës 23.00. Ai vazhdon dhe ngul këmbë se e ka vlerësuar gabim situatën dhe ka kërkuar falje.
"Ishte një gabim dhe Marian Yuretska e ka pranuar atë,"-tha edhe kryeministri Petr Fiala kur iu kërkua të komentonte ngjarjen, duke hedhur poshtë pretendimet për zëvendësimin e tij.
Ish-kryeministri Andrej Babis i partisë populiste ANO kërkoi që ministri të vuante pasojat e gabimeve të tij.
"Disa gabime nuk mund të falen,"-tha ai, sipas agjencisë çeke të lajmeve CTK, duke shtuar se Yuretska kishte "gënjyer qytetarët" për javë të tëra. Megjithatë deri më tani, duket se Yuretska nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen./ZËRI