
PARIS- Gabriel Attal është emëruar kryeministri i ri i Francës. Attal, vetëm 34-vjeç, bëhet kryeministri më i ri në historinë moderne franceze, duke ia kaluar edhe socialistit Laurent Fabius, i cili ishte 37 vjeç kur u emërua nga François Mitterrand në 1984. Por gjithashtu edhe i pari që ka dalë hapur me prirjet e tij homoseksuale. Attal zëvendëson Élisabeth Borne, e cila ka dhënë dorëheqjen dje pas 20 muajsh në detyrë.
-
'Tronditet' qeveria franceze! Jep dorëheqjen kryeministrja
8 Janar, 18:38
Gabriel Attal, i cili aktualisht është ministër i Arsimit, tani do të ketë detyrën të udhëheqë qeverinë franceze në zgjedhjet e rëndësishme të Parlamentit Evropian në qershor. Sipas "The Guardian", lëvizja e fundit e Macron nuk do të çojë domosdoshmërisht në ndonjë ndryshim të madh politik, por sinjalizon një dëshirë që Macron të përpiqet të "çajë" reformat e pensioneve dhe emigracionit. Po ashtu, lexohet edhe si përpjekje që të përmirësojë shanset e partisë së tij qendrore në votimin e qershorit në BE.
Kjo pasi aktualisht sondazhet tregojnë se kampi i Macron renditet pas partisë së lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen me rreth 8-10 pikë përqindjeje.
Attal, një aleat i ngushtë i Macron, i cili u bë një emër i njohur si zëdhënës i qeverisë gjatë pandemisë COVID. Një nga politikanët më të popullorë të vendit, Attal ka bërë emër si një ministër i zgjuar, i qetë për shkak të daljeve të tij në emisionet radiofonike dhe në parlament.
“Gabriel Attal është paksa si Macron i vitit 2017,”- tha deputeti Patrick Vignal, duke iu referuar faktit se presidenti e mori për herë të parë detyrën si lideri më i ri në historinë moderne franceze. Vignal, i cili i përket partisë së Rilindjes së Macron u takua për herë të parë me Attal më shumë se 10 vjet më parë, shtoi se ministri i arsimit "është i qartë, ai ka autoritet".
Kush është Gabriel Attal?
Ministri i Arsimit lindi në 1989 në Hauts-de-Seine. Politikani ka shërbyer tashmë në një sërë detyrash, duke përfshirë zëdhënësin e qeverisë dhe ministrin e Llogarive Publike. Në fillim të karrierës së tij, Attal ishte anëtar i partisë Socialiste, por më vonë iu bashkua partisë qendrore të Emmanuel Macron, e njohur tani si Rilindja./ZËRI