Bota

‘S'kemi asgjë’, fëmijët në spitalet e Gazës jetojnë me frikën e bombardimeve

Situata në spitalet e Gazës është kritike. Karburanti po mbaron dhe mjekët detyrohet të punojnë, duke pasur mungesa të theksuara të pajisjeve.

D.XH
‘S'kemi asgjë’, fëmijët në spitalet e
Gaza

GAZA - Ndërsa bombat bien mbi lagjet dhe kampet e refugjatëve në Gaza, qindra familje palestineze po krijojnë shtëpi të përkohshme në një vend jo të përshtatshëm, në zona të përbashkëta spitalore.

Tenda po shfaqen në korridoret e spitaleve, parkingje dhe oborre, ndërsa familjet kërkojnë siguri brenda dhe përreth objekteve mjekësore – vende që duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.

Lufta Izrael-Hamas është në ditën e saj të 29-të, me frikën në rritje të mungesës me funizime në ilaçe. Duke qëndruar vetëm brenda mureve prej pëlhure për privatësi, familjet brenda tendave po kryejnë rutinat e tyre të përditshme, duke fjetur, duke ngrënë dhe duke u përpjekur të rivendosin një ndjenjë normaliteti.

Këto tenda filluan të shfaqen vetëm disa ditë pasi shpërtheu lufta më 7 tetor. Tendat jo vetëm që shërbejnë si strehë e përkohshme për ata që i shpëtojnë vdekjes dhe shkatërrimit në zonat e banuara, por përdoren edhe si dhoma urgjence, ndërsa numri i të vdekurve palestinezë rritet.

Gratë dhe fëmijët përbëjnë shumicën e banorëve të spitalit. Privatësia është një kujtim i largët dhe sfidat e të jetuarit në spital janë të shumëfishta. Ushqimi, uji i pastër dhe ambientet e tualetit janë të racionalizuara dhe të disponueshme vetëm në mënyrë sporadike, mund të shkosh vetëm një ose dy herë në ditë.

Një familje prej shtatë anëtarësh e strehuar në një tendë foli në mënyrë anonime për Al Jazeera për vështirësitë e tyre. Ata u shprehën se u mungon mbrojtja nga bombat, kanë mungesë ushqimesh, por vuajnë edhe të ftohtin gjatë natës. “Nuk kemi thjesht asgjë”, tha një nga anëtarët e familjes.

Familjet gjithashtu përballen me mundësi të shtuara të infektimit dhe kontaktit me kimikate toksike, pasi trajtimi mjekësor vazhdon në tendat e tjera aty pranë.

Mungesa e furnizimeve mjekësore

Objektet shëndetësore në të gjithë Gazën kanë raportuar mungesa të furnizimeve mjekësore. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, mungesa e ilaçeve është bërë një problem serioz si për personelin mjekësor, ashtu edhe për pacientët, duke bërë që cilësia e kujdesit shëndetësor të përkeqësohet me shpejtësi.

Mungesa e anestezisë është bërë qartësisht e dukshme në spitalin Al-Shifa, institucioni më i madh shëndetësor në Gaza, i themeluar në vitin 1946. Mjekët atje thuhet se detyrohen të kryejnë operacione te pacientët pa ilaçe, duke u shkaktuar atyre dhimbje të papërshkrueshme.

Njësitë e kujdesit intensiv ose ICU, ndërkohë, kanë shumë pak shtretër për të akomoduar qindra pacientë me lëndime të rënda. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, hapësirat për raste të tilla janë shteruar, që nga mesi i tetorit.

Spitali Indonezian, i cili u shërben mbi 150 000 banorëve në Gazën veriore, është në prag të ndërprerjes së funksionimit të tij, duke ngritur alarmin tek zyrtarët shëndetësorë.

Spitali Al-Shifa është gjithashtu në prag të mbylljes së plotë. Spitali, i cili ofron shërbime shëndetësore thelbësore për Gazën qendrore, së shpejti mund të mos jetë në gjendje të pranojë më shumë pacientë ose të trajtojë lëndimet.

Me vetëm 546 shtretër, spitali tani po trajton mbi 1000 njerëz të plagosur. Madje spitali po bën operacione edhe në natyrë, duke shfrytëzuar ndriçimin e diellit, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe karburantit. "Spitali pritet të errësohet plotësisht brenda disa orësh", paralajmëroi të mërkurën Ashraf al-Qudra, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Rreth 50,000 deri në 60,000 njerëz të tjerë po strehohen në oborret e spitalit. Autoritetet në enklavë thanë se sektori shëndetësor i Gazës përballet me katastrofë nëse karburantet dhe furnizimet mjekësore nuk arrijnë në enklavën e rrethuar. Autoritetet i bënë thirrje Egjiptit të lehtësojë dërgimin urgjent të ndihmës mjekësore në Gaza.

Më 21 tetor, 20 kamionë me furnizime shëndetësore dhe mallra të tjera të nevojshme kaluan për herë të parë në Gaza nga Egjipti, duke nisur kështu fluksi i ndihmës humanitare. Mirëpo, ndihma ka arritur ngadalë, pjesërisht për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite në zonën kufitare.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë gjithashtu se ndihma ndërkombëtare e alokuar për sektorin shëndetësor të Gazës mezi mbulon operacionet thelbësore dhe nuk përmbush nevojat më të rëndësishme.

Objektet shëndetësore përballen me shpërthime bombash

Sulmet brenda ose pranë objekteve mjekësore dhe punëtorëve i kanë dhënë gjithashtu një goditje të rëndë sistemit të kujdesit shëndetësor të Gazës, që nga fillimi i luftës.

Zyrtarët palestinezë kanë fajësuar sulmet ajrore izraelite për shpërthimet në disa qendra të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë Spitalin e Miqësisë Turko-Palestineze në jug dhe Spitalin arab Al-Ahli në qytetin qendror të Gazës, ku janë shënuar qindra të vdekur.

Ushtria izraelite ka pranuar gjithashtu sulmin në ambulanca, duke pretenduar se një nga automjetet në një kolonë mjekësore të premten "ishte duke u përdorur nga një celulë terroriste e Hamasit". Al-Qudra tha se "një numër i madh" punonjësish shëndetësorë u vranë në shpërthim.

Rreth 25 ambulanca janë goditur dhe 136 punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë, që nga fillimi i luftës. Ministria e Shëndetësisë dhe Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS) kanë bërë thirrje që objektet mjekësore dhe punonjësit shëndetësorë të mbrohen nga dhuna, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Neni 18 i Konventës së Gjenevës specifikon se spitalet civile nuk duhet “në asnjë rrethanë të jenë objekt sulmi”. Transporti mjekësor është gjithashtu i mbrojtur sipas ligjit humanitar.

Lodhja në mesin e punonjësve shëndetësorë

Dhuna e vazhdueshme ka rritur gjithashtu shqetësimet për mirëqenien mendore dhe fizike të punonjësve të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë mjekët, infermierët, stafin administrativ dhe ekuipazhet e shpëtimit.

Duke punuar shumë orë, disa po përballen me rraskapitje ekstreme. Të tjerët vuajnë nga lodhja psikologjike nga trajtimi i lëndimeve të tmerrshme ose zhgënjimi se nuk ka ilaçe dhe sendet më elementare.

Para luftës, ne ishim përgjegjës për zbutjen e stresit dhe traumës së të sëmurëve dhe të lënduarve, por tani jemi ne që kemi nevojë për një rrugëdalje për trupat dhe shpirtrat tanë të rraskapitur,” tha infermierja Huda Shokry nga Kompleksi Mjekësor Al-Daraj.

Megjithatë, Dr Ahmed Ghoul, një mbikëqyrës i dhomës së urgjencës në Al-Daraj, i tha Al Jazeera se profesionistët me të cilët punon janë të përkushtuar për t'u kujdesur për pacientët e tyre.

“Pavarësisht mungesës së pothuajse çdo gjëje të nevojshme për të kryer në mënyrë efektive punën tonë, ne nuk dalim nga dhomat tona, ditën apo natën, përveç se ikim në tualet. Kemi humbur sensin e kohës”, tha ai.

Mjekët si Ghoul nuk kanë ku të flenë edhe nëse e kanë mundësinë. Dhomat e tyre personale janë shndërruar në zona të trajtimit të pacientëve dhe shtretërit e tyre përdoren për kirurgji dhe kujdes urgjent.

Ndërkohë, kuzhinat e spitaleve kanë pushuar së funksionuari. Atyre u mungojnë burimet bazë për të përgatitur ushqime për stafin ose pacientët. Shumë mjekë shprehen se po përballen me situatë ekstreme./Al Jazeera - Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB