Bota

Tërmet në Nepal, mbi 150 të vdekur

Autoritetet deklaruan se situata në terren është e komplikuar. Ndërsa, shumë banesa janë shembur, duke lënë njerëzit jashtë.

D.XH
Tërmet në Nepal, mbi 150 të vdekur
Termet ne Nepal

KATMANDU - Më shumë se 150 njerëz ndërruan jetë, pasi një tërmet goditi Nepalin.

Forcat e sigurisë ndihmuan banorët në zonat e prekura, në Jajarkot dhe Uest Rukum, 500 km (310 milje) në perëndim të Katmandusë.

Lëkundje të forta u ndjenë edhe në kryeqytetin e Nepalit dhe në qytetet të Indisë fqinje, duke përfshirë Delhin. Zëdhënësi i ushtrisë tha se më shumë se 100 njerëz ishin plagosur. Spitali i Jajarkotit është i mbushur me të plagosur.

Tre lëkundje të tjera u ndjenë brenda një ore pas tërmetit dhe shumë njerëz e kanë kaluar pjesën tjetër të natës në ambient të hapur, për shkak të frikës nga tërmete të mëtejshme dhe faktit se shtëpitë e tyre mund të dëmtoheshin.

Pamjet në mediat lokale treguan banesat e shkatërruara shumëkatëshe me tulla.

Njerëzit kanë gërmuar nëpër rrënoja në errësirë për të shpëtuar të mbijetuarit, që gjendeshin në rrënojat e banesave të dëmtuara.

Kryeministri i Nepalit Pushpa Kamal Dahal mbërriti në rajonin e prekur të shtunën, pasi shprehu dhimbjen e tij të thellë për humbjen e jetëve dhe shkatërrimet e banesave, shkaktuar nga tërmeti. Ai tha se ka urdhëruar, që të nisë menjëherë puna për operacionet e ndihmës. Mirëpo, këto operacione kërkim-shpëtimi po pengohen nga bllokimi i rrugëve nga rrëshqitjet e dheut, që u shkaktuan nga tërmeti.

Shefi i policisë së qarkut Jajarkot Suresh Sunar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte e vështirë të kishte një pamje të qartë të asaj që ka ndodhur.

"Unë vetë jam jashtë. Po mbledhim informacione nga terreni, por për shkak të të ftohtit dhe natës është e vështirë të marrësh informacion nga zona të largëta", tha Sunar për Reuters.

Tërmeti u regjistrua në orën 23:47 me orën lokale, sipas Qendrës së Monitorimit dhe Kërkimit të Nepalit. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së deklaroi se tërmeti ishte me magnitudë 5.6 ballë dhe se ka ndodhur afër sipërfaqes së tokës. Nepali ndodhet përgjatë Himalajeve, ku ka shumë aktivitet sizmik.

Muajin e kaluar, një tërmet me magnitudë 6.3 ballë u regjistrua në lagjen perëndimore Bajhang, duke shkaktuar shumë të plagosur. Në vitin 2015, vendi pësoi dy tërmete shkatërruese në të cilat 9,000 njerëz u vranë dhe 22,309 të tjerë u plagosën.

Më 25 prill 2015, ra një tërmet me magnitudë 7.8 ballë, i cili shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe humbje të jetës së njerëzve. Në këtë vit, kishte shumë pas-lëkundje.

Tërmetet shkatërruan ose dëmtuan më shumë se 800 000 shtëpi kryesisht në rrethet perëndimore dhe qendrore, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC).

Ndërtesat qeveritare, disa pjesë të rrugëve dhe monumentet e famshme historike të Luginës së Katmandu - vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s - u shkatërruan ose u dëmtuan në shumë fshatra në veri të Katmandusë të rrafshuar./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB