
KOSOVË- Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu i ka dalë këtë të mërkurë në mbrojtje, kryetares së grupit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, e cila një ditë më parë doli në një audio-përgjim ku fliste me Milan Radoiçiç, të cilin Kosova e kërkon me “qiri” për ta vënë para drejtësisë si organizator të sulmit terrorist të shtatorit të vitit të shkuar ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Në një deklaratë për mediat, Haxhiu tha, se kjo që po ndodh është përpjekje e tërheqjes së vëmendjes nga dështimi për rrëzimin e qeverisë Kurti, ndërsa kritikon opozitën për mosdakordim rreth mënyrës për të shkuar në zgjedhje.
Albulena Haxhiu: Një opozitë që një terrorist qq ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë asnjëherë nga Serbia që ta dorëzojnë atë, nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojq terroristët, jo vetëm Radojiçiçin. Tani paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit, unë mendoj që kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën, për rrëzim të qeverisë apo shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar por ju e keni parë, njëra kërkon dorëheqje të qeverisë e tjetra shpërndarje të Kuvendit.
Skena politike e Kosovës është tronditur një ditë më parë pas publikimit të bisedave audio, ku pretendohet se kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvdosje, Mimoza Kusari Lila bashkëbisedon me Milan Radoiçiç, i akuzuar nga autoritetet në Kosovë si organizatori i sulmit terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku. Audio është publikuar nga “Nacionale”. Kusari Lila besohet të ketë zhvilluar këtë bisedë telefonike në kohën kur Radoiçiç ishte në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Qershor të vitit 2022. Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe. Kusari Lila ende nuk ka bërë asnjë reagim./ZËRI