SHBA- Studiuesit në Shoqatën Amerikane të Kimisë pretendojnë se kanë zhvilluar një sistem të ri që mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes së Parkinsonit duke zbuluar gjurmë të saj në dyllin e veshit. Çelësi qëndron në erën e sebumit, substancës vajore të prodhuar nga trupi për të lubrifikuar dhe mbrojtur lëkurën, dhe një përbërës kryesor i alveolës, siç quhet shkencërisht dylli i veshit.
Sebumi i njerëzve me sëmundjen e Parkinsonit mund të ketë një erë të veçantë sepse përbërjet organike të paqëndrueshme të çliruara nga sebumi ndryshojnë ndërsa sëmundja përparon. Për të identifikuar komponimet e çliruara nga sebumi tek njerëzit me këtë sëmundje, studiuesit morën mostra nga 209 vullnetarë, më shumë se gjysma e të cilëve ishin diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit. Më pas, ata analizuan mostrat e mbledhura duke përdorur teknikat e kromatografisë me gaz dhe spektrometrisë masive.
4 nga komponimet organike të paqëndrueshme që ata gjetën te njerëzit me sëmundjen e Parkinsonit ishin të ndryshme nga ato te njerëzit pa sëmundjen: etilbenzeni, 4-etiltolueni, pentanali dhe 2-pentadecil-1,3-dioksolani, të cilët studiuesit thonë se janë biomarkues të mundshëm për sëmundjen.
Inteligjenca artificiale me aromë
Bazuar në këto gjetje, të cilat i botuan disa ditë më parë në revistën shkencore "Analytical Chemistry", ata arritën të zhvillojnë një sistem që zbulon sëmundjen e Parkinsonit me kosto të ulët. Ata trajnuan një sistem të inteligjencës artificiale - një model robotik që mund të imitojë mënyrën se si nuhasim - me të dhënat e përbërjes së dyllit të veshit. Duke përdorur modelin, ata zbuluan se ai ishte në gjendje të kategorizonte mostrat me dhe pa sëmundjen e Parkinsonit me saktësi 94%. Studiuesit thonë se ky sistem i inteligjencës artificiale mund të përdoret si një mjet i vijës së parë për diagnostikimin e hershëm.
"Kjo metodë është një eksperiment në shkallë të vogël i kryer në një qendër të vetme në Kinë,"- shpjegoi autori i studimit Hao Dong.
"Hapi tjetër është të kryhen kërkime të mëtejshme në faza të ndryshme të sëmundjes, në qendra të shumta kërkimore dhe në grupe të shumta etnike, për të përcaktuar nëse kjo metodë ka vlerë më të madhe në praktikë."/ZËRI