
IRAN- Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe lëshoi të mërkurën një deklaratë duke thënë se agjencia kishte siguruar "një sërë provash të besueshme" që tregojnë se Programi Bërthamor i Iranit ishte dëmtuar rëndë nga sulmet e fundit. Deklarata vjen një ditë pasi CNN dhe media të tjera raportuan një analizë paraprake të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, të prodhuar afërsisht 24 orë pas sulmeve, e cila zbuloi se bombardimet amerikane me shumë gjasa e kanë vonuar aftësinë e Iranit për të prodhuar një armë bërthamore vetëm me disa muaj, por nuk e kanë shkatërruar.
Shtëpia e Bardhë e ka kundërshtuar këtë vlerësim, duke e quajtur atë “të gabuar”. Presidenti Donald Trump ka thënë se sulmet “shkatërruan” aftësinë e Iranit për të prodhuar një armë bërthamore. Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, postoi gjithashtu në X të mërkurën se “inteligjenca e re” mbështeste idenë se objektet bërthamore të Iranit u “shkatërruan” në sulme.
“Inteligjenca e re konfirmon atë që Presidenti i SHBA-së e ka deklaruar disa herë: objektet bërthamore të Iranit janë shkatërruar. Nëse iranianët zgjedhin të rindërtojnë, ata do të duhet t’i rindërtojnë të treja objektet (Natanz, Fordoë, Esfahan) tërësisht, gjë që ka të ngjarë të zgjasë me vite,”- postoi Gabbard në X të mërkurën, pa dhënë prova.
Ndërkohë, shkalla e dëmit është ende e panjohur, pasi nuk ka qasje në objektet iraniane.
Pranimi i parë i Teheranit
Nga ana e tij, Teherani bëri pranimin e parë nëpërmjet një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme iraniane se objektet bërthamore të vendit pësuan "dëme serioze" nga sulmet ajrore amerikane, megjithatë, pa dhënë detaje të mëtejshme./ZËRI