Bota

Shkatërrim i plotë apo vetëm dëme të vogla, ç'ka ndodhur në Iran?

Pas sulmeve amerikane në Iran vazhdon të mbetet e paqartë sa të rënda ishin dëmet. Trump pretendon se impiantet bërthamore janë shkatërruar plotësisht. Të tjerë - përfshirë Izraelin - janë shumë më të rezervuar.

Redaksia Zëri
Shkatërrim i plotë apo vetëm dëme të vogla,
Foto ilustruese

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon të jetë i bindur se sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit "i shkatërruan ato plotësisht” dhe e kthyen programin bërthamor të Teheranit "në disa dekada prapa”. Në takimin e NATO-s në Hagë, Trumpi tha se regjimi iranian: "nuk do të ndërtojë më bomba për një kohë të gjatë".

Po ashtu Trump i quajti njoftimet e New York Times dhe CNN, se prej sulmeve programi bërthamor i Iranit ishte penguar vetëm për disa muaj si "lajme të rreme" dhe përdori fyerje ndaj gazetës dhe stacionit televiziv.

Dëmtime jo shkatërruese

New York Times dhe CNN kishin njoftuar se sipas vlerësimeve fillestare të shërbimeve sekrete bombardimet amerikane gjatë fundjavës nuk arritën t'i shkatërronin objektet bërthamore nëntokësore të Iranit. Sipas raportit të shërbimeve sekrete prej bombardimeve ishin shkatërruar vetëm hyrjet e objektit Fordo, por jo vetë ndërtesat nëntokësore. Fotografi satelitore e centralit bërthamor Fordo në Iran, ku janë shënuar me jeshile: hyrja e shkatërruar për në objektin nëntokësor, me të kuqe krateret që supozohet se janë shkaktuar prej bombave. Raporti pesëfaqësh i shërbimeve sekrete supozon gjithashtu se para se të nisnin sulmet Irani i kishte zhvendosur rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në zona të tjera, shkruan New York Times.

Vlerësim i kujdesshëm nga Izraeli

Izraeli dha një vlerësim të kujdesshëm lidhur me efektin e sulmeve.

"Është ende shumë herët për të gjykuar rezultatet e operacionit”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin. Por ai shtoi: Unë besoj se i kemi dhënë një goditje serioze programit bërthamor. E kemi kthyer atë disa vite prapa.

Irani flet për dëme të rënda

Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se dëmet në impiantet bërthamore ishin të rënda. Një zëdhënës i tha Al Jazeeras se nuk mund të jepte asnjë detaj, por se sulmet prej bombave bunkerë-shkatërruese ishin të forta dhe dëmet të rënda.

IAEA kërkon të inspektojë

Sqarime për gjendjen mund të japë Agjencia e OKB-së për Energjinë Bërthamore, IAEA. Ajo po këmbëngul që t'i lejohet sa më shpejt të jetë e mundur hyrja në impiantet bërthamore të sulmuara. Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, tha se kthimi i inspektorëve të tij ka përparësi kryesore. Ata duhet të vlerësojnë efektet e sulmeve dhe të verifikojnë rezervat e uraniumit të pasuruar, tha ai në një konferencë për shtyp pas një takimi të Kabinetit Austriak të Sigurisë në Vjenë. Kjo përfshin edhe tri impiantet e pasurimit të uraniumit.

Grossi pranoi se inspektimi i objekteve të dëmtuara nga lufta është i vështirë. Kurse radio-televizioni shtetëror i Iranit IRIB njoftoi se parlamenti në Teheran kishte vendosur që ta pezullojë përkohësisht bashkëpunimin me IAEA-n me seli në Vjenë./DW

Poll

MOS HUMB