
Pentagoni ka bërë publike detaje të operacionit më të madh ajror të dekadës së fundit, të koduar “Midnight Hammer”, i zhvilluar të shtunën në mbrëmje kundër tre qendrave kryesore të programit bërthamor të Iranit: Fordow, Natanz dhe Isfahan.
Në një konferencë zyrtare nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, bëri të ditur se operacioni përfshiu mbi 125 avionë luftarakë, përfshirë 7 bombardues B-2 Spirit, avionë zbulimi, njësi mbrojtëse ajrore dhe tankerë furnizimi. Sipas tij, ky ishte një nga misionet më të koordinuara dhe të shpejta në historinë ushtarake moderne amerikane.
Bombarduesit B-2 hodhën mbi një duzinë bombash të tipit “Massive Ordnance Penetrator”, të dizajnuara për të depërtuar thellë në objektivat nëntokësorë. Goditjet nisën në orën 18:40 sipas kohës amerikane (ET) dhe përfunduan brenda 20 minutash, pa asnjë ndërhyrje nga mbrojtja ajrore iraniane. Forcat amerikane dolën nga hapësira ajrore iraniane në orën 19:00.
Paralelisht, dhjetëra raketa Tomahawk u lëshuan drejt objektivave strategjikë në qytetin Isfahan, i cili konsiderohet si një nga nyjet kyçe të kapaciteteve bërthamore iraniane.
Gjenerali Caine theksoi gjithashtu se pjesë e planit ishte një manovër mashtruese: një segment i flotës u nis drejt Paqësorit për të devijuar vëmendjen e kundërshtarit dhe për të ruajtur elementin e befasisë. Sipas tij, vetëm një grup shumë i kufizuar i planifikuesve ushtarakë ishin në dijeni të detajeve të misionit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në të njëjtën konferencë për media, deklaroi se ky operacion shënoi një kthesë të rëndësishme në ndalimin e ambicieve bërthamore të Teheranit. Ai përshëndeti udhëheqjen “vizionare dhe të vendosur” të Presidentit Trump dhe theksoi se ndërhyrja amerikane ishte një kombinim i forcës precize dhe vendosmërisë strategjike.
Ky operacion shënon misionin më të gjatë me avionë B-2 që nga 11 shtatori 2001 dhe konsiderohet si një prej aksioneve më të sofistikuara të dekadës – si në aspektin teknik, ashtu edhe në fushën e taktikave psikologjike dhe logjistikës ushtarake.
Ndërkohë, tensionet në rajon janë në rritje, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër pasojat e kësaj goditjeje, e cila mund të riformësojë balancën e sigurisë në Lindjen e Mesme./ZËRI