PRISHTINË- Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 81-vjeçare akademiku dhe politikani i njohur Nexhat Daci. Lajmin e konfirmoi Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit, politikanët e Kosovës kanë shprehur ngushëllime familjes së tij si dhe kanë vlerësuar kontributin e tij në jeten akademike dhe politike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi kontributin e Dacit në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin e arsimit të lartë, duke theksuar se ai do të mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e Kosovës. Po ashtu edhe Kryeministri Albin Kurti, u shpreh se Daci do të kujtohet si një nga emrat kyç në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e cilësoi ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit si humbje të madhe për shtetin e Kosovës, duke shtuar se trashëgimia e tij është pjesë e pandashme e themeleve të shtetndërtimit të Kosovës.
Jeta publike e Nexhat Dacit
Nexhat Daci lindi më 26 korrik 1944 në Tënoc. Arsimin e lartë e kreu në Beograd, ku mori diplomën në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e Kimisë). Në vitin 1973, ai mori titullin Doktor Shkencash në Universitetin e Zagrebit dhe më vonë vazhdoi studimet postdoktorale në Universitetin e Bradfordit në Angli.
Daci u kthye në Kosovë ku kontribuoi si profesor në Universitetin e Prishtinës, duke marrë pjesë në studime dhe konferenca ndërkombëtare. Ai ka qenë anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane dhe ka kontribuar në avancimin e shkencës dhe arsimit të lartë në Kosovë. Në vitin 1993, Daci u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Ndërsa në vitin 2001 deri në vitin 2011 ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës me LDK-Në. Nga viti 2000 deri në vitin 2006 drejtoi Parlamentin e Kosovës për dy mandate, madje pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues detyre i presidentit për një periudhë të shkurtër në vitin 2006./ZËRI