
PRISHTINË- Një shpërthim ka ndodhur në një shtëpi në fshatin Kçiq në Mitrovicë, ku si pasojë janë lënduar 15 persona. Zëdhënësja e spitalit, Nita Mustafa është dërguar në shtëpi. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 16:30 dhe sipas informacioneve fillestare është shkaktuar nga një bombul gazi me defekt. Në raportin paraprak, Policia bëri me dije se kishte 13 të lënduar, por në total, numri i tyre shkoi në 15.
“Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombole gazi”, njoftoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
4 nga 15 të plagosurit si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në Mitrovicë i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Plagët i kanë marrë më së shumti në fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.
“Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, po trajtohen 13 pacientë si pasojë e djegieve nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës. Pacientët pasi kishin marrë trajtimin fillestar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, janë sjellë në QKUK. Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit. Ekipi emergjent në përbërje të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme dhe infermierëve po trajton që të trembëdhjetë pacientët. Katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit. Meqë trajtimi është duke vazhduar dhe gjendja shëndetësore mund të pësojë ndryshime, mjekët kërkojnë mirëkuptim nga mediet dhe publiku. Informatat e plota do të jepen pas ekzaminimeve finale nga mjekët kujdestar,”- thuhet në njoftim.
Pavarësisht se kanë marrë lëndime të rënda, ende nuk dihet nëse ndonjë prej tyre është në rrezik për jetën./ZËRI