
TIRANË- A e keni pyetur ndonjëherë veten se si është jeta në pjesën tjetër të Evropës? Komisioni Europian publikoi një sondazh për cilësinë e jetës në kontinent, duke u kërkuar banorëve të 83 qyteteve t'u përgjigjeshin një sërë pyetjesh në lidhje me pastërtinë, sigurinë, etj. Si rrjedhojë, sondazhi nxorri listën me 10 qytetet që kanë banorët më të kënaqur.
Në numrin dhjetë është qyteti i dytë më i madh në Rumani, Cluj-Napoca. Rritja e shpejtë dhe investimi i kompanive të teknologjisë ofron mundësi shumë të mira, ku 73% deklarojnë se e kanë të lehtë të gjejnë një punë të mirë.
Në vitin 2021, Braga, Portugali u votua si destinacioni më i mirë evropian për udhëtarët. Megjithatë, duket se përveç turistëve, e duan edhe banorët e saj, pasi 94% janë shprehur të kënaqur me jetën. Braga konsiderohet një qytet shumë i sigurt dhe mikpritës për emigrantët. Të njëjtën përqindje të kënaqësisë shprehin edhe banorët e Rostock-ut në bregun verior të Gjermanisë. Qyteti me 200,000 banorë, me një klimë të butë për rajonin, është ideal për familjet me fëmijë dhe është i pari në Evropë për sa i përket punës. E shtata listohet Gjeneva, edhe pse renditet i fundit për gjetjen e një banese me çmim të arsyeshëm.
I ftohti i hidhur nordik duket se nuk i pengon qytetarët e Stokholmit, të cilët e vendosën qytetin e tyre në vendin e 6-të, me 95% qytetarë të kënaqur. Stokholmi është një qytet i hapur për komunitetin LGBTI+ dhe ofron shumë mundësi pune me paga të mira. Në brigjet e Detit Baltik, porti i Gdanskut në Poloni, me rëndësinë e tij të jashtëzakonshme historike, kap të njëjtën përqindje, ndërsa 92% thonë se janë shumë të kënaqur me jetën e qytetit.
Duke ardhur në krye të listës, një tjetër qytet gjerman. Këtë herë në Gjermaninë Lindore, Leipzig konsiderohet i sigurt, ideal për të rritur një fëmijë dhe një "kampion" në ajër të pastër. “Medalja e bronztë” shkon në Kopenhagen. Jo shumë larg, në skajin lindor të Holandës, Groningen me të drejtë zë vendin e dytë.
Qyteti më i mirë evropian për të jetuar është Cyrihu. Të kënaqur me të ardhurat, transportin publik, shërbimet shëndetësore, pastërtinë (pothuajse gjithçka) banorët e saj thonë se 97% janë të kënaqur. Me një përjashtim: vetëm 11% thonë se është e lehtë të gjesh një shtëpi me një çmim normal./ZËRI