
PRISHTINË- Një e vajzë është lënduar nga rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës. E reja është dërguar me emergjencë në spital, por ende nuk dihen detaje lidhur me gjendjen e saj shëndetësore. Qendra e Mjekësisë Urgjente dhe drejtori i QMU-së Dr. Avdyl Pacolli ka dhënë detaje nga intervenimi i ekipit mjekësor të këtij institucioni në vendin e ngjarjes.
“Është një grua e lënduar. Ka pësuar politraumë dhe traumë të shumëfishtë në ekstremitete. Një plagë në kokë. Pacientja është stabilizuar në vendin e ngjarjes dhe me parametra stabil është dërguar në Emergjencën e QKUK-së,”- ka bërë me dije mjeku.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, i cili përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga organet kompetente që ta hetojnë këtë rast.
”Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor. Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi,”-ka shkruar ai.
Mesditën e sotme, çatia e re mbi Komunën e Prishtinës është rrëzuar nga era. Aktualisht në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe Policia e Kosovës, pasi dyshohet se mund të ketë edhe të lënduar të tjerë./ZËRI