
UASHINGTON - Administrata e presidentit amerikan Joe Biden duket se po afrohet më shumë me qëndrimin izraelit se ushtria e Izraelit do të duhet të mbajë një shkallë kontrolli sigurie mbi Gazën, pas luftës në enklavë.
"Unë mendoj se të gjithë ne mund të parashikojmë një periudhë kohore pas përfundimit të konfliktit, ku forcat izraelite ka të ngjarë të jenë ende në Gaza dhe do të kenë disa përgjegjësi fillestare të sigurisë", tha për CNN zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
Kjo deklaratë vjen dy ditë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të duhet të mbajë kontrollin e përgjithshëm të sigurisë së Gazës për një periudhë të pacaktuar.
Zyrtarët izraelitë fillimisht kishin thënë se nuk ishin të interesuar të ripushtonin Rripin e Gazën. Mirëpo, komentet e fundit të Netanyahut për masa më represive në enklavë, çuan në shqetësime te amerikanët. Kjo bëri që shumë zyrtarë amerikanë të ishin kundër ripushimit të Gazës.
Kirby i tha CNN se SHBA-të besojnë se do të ishte një gabim për Izraelin që të ripushtonte territorin. Kirby thotë se SHBA është e përqendruar në hartimin e një strukture afatgjatë të qeverisjes për Gazën pas konfliktit aktual, por vlerësoi se ende ka pak perspektivë për një plan të zbatueshëm. "Unë mendoj se situata ku jemi ka shumë pyetje dhe jo shumë përgjigje", tha ai.
Kirby theksoi se SHBA nuk do të shohë as ripushtim të Gazës nga Izraeli dhe as Hamasin që vazhdon të qeverisë në enklavë.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë tashmë në Gaza. Më tepër se 11 500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/