
SHBA - Gjashtëmbëdhjetë mafiozë dhe bashkëpunëtorë të dyshuar të familjes së krimit Gambino janë arrestuar në SHBA dhe Itali. Lajmi u bë me dije nga prokurorët amerikanë të martën.
Akuzat kundër tyre përfshijnë shantazhin, zhvatjen, hakmarrjen e dëshmitarëve, komplotin dhe mashtrimin. Dhjetë persona u arrestuan në Nju Jork dhe gjashtë nga autoritetet italiane në Palermo të Siçilisë. Një tjetër i dyshuar është ende i lirë, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Në aktakuzë, prokurorët përshkruan një model frikësimi dhe sulmesh të dhunshme, që synonin përvetësimin e fondeve, duke tentuar që të dominojnë sektorin e depozitimit të mbeturinave në Nju Jork. Sipas aktakuzës, anëtarët e grupit kërcënuan biznesmenë dhe kërkuan pagesa. Të pandehurit u akuzuan edhe për kanosje të dëshmitarëve, si dhe pastrim parash e përdorim armësh.
Familja Gambino është pjesë e Cosa Nostra dhe përpos Italisë, ka gjetur terren edhe në Nju Jork. Familja mafioze u drejtua nga bosi John Gotti deri në vdekjen e tij në burg në 2002 dhe më vonë nga Frank Cali, i cili u vra jashtë shtëpisë së tij në Staten Island në mars 2019.
Një sërë hetimesh dhe operacionesh të fundit policore kanë shënjestruar grupin në SHBA dhe Itali. Të pandehurit përballen me dënime maksimale nga 20 deri në 180 vjet burg./Zëri.ai/