
SANA'A - Një dron i ushtrisë amerikane MQ-9 u rrëzua të mërkurën nga rebelët Huthi të Jemenit. Lajmi u konfirmua nga dy zyrtarë amerikanë dhe lëvizja Huthi, e lidhur me Iranin.
Ndërsa dronët amerikanë janë rrëzuar nga grupi rebel në të kaluarën, ky incident vjen në një kohë veçanërisht të tensionuar në rajon.
Uashingtoni është në gatishmëri të shtuar për aktivitetin e grupeve të mbështetura nga Irani, ndërsa tensionet rajonale rriten për shkak të luftës Izrael-Hamas.
Disa zyrtarë anonimë amerikanë, thanë se droni, i prodhuar nga General Atomics, ishte rrëzuar në brigjet e Jemenit. Ata nuk thanë nëse ishte rrëzuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Në një deklaratë, një zëdhënës ushtarak i grupit Huthi tha se ata e rrëzuan dronin në hapësirën ajrore, mbi ujërat territoriale të Jemenit.
Në vitin 2019, dronët amerikanë u rrëzuan në dy raste të veçanta nga grupi jemenas.
Pentagoni ka dërguar mijëra trupa në rajon në përpjekje për të frenuar konfliktin. Gjithashtu, SHBA ka dërguar edhe dy aeroplanmbajtëse.
Pentagoni pranoi disa ditë më parë se një MQ-9 kishte fluturuar mbi Gaza për të mbledhur informacione mbi atë që ndodhte në enklavë.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë tashmë në Gaza. Më tepër se 11 500 njerëz kanë vdekur nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/