
KOSOVË- Qytetarët serbë në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potok kanë bojkotuar procesin zgjedhor për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat. Deri më tani pjesëmarrja në votime është jashtëzakonisht e ulët ndërsa në Zveçan deri më tani nuk ka marrë pjesë asnjë votues. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur të dhënat mbi daljen e qytetarëve në votimin që po mbahet sot në katër komunat veriore të Kosovës.
“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se Qendrat e Votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote”, tha ai.
Pjesëmarrja deri në orën 15:00, sipas Elezit është si në vijim:
Leposaviq: 122
Zubin Potok: 17
Zveçan: 0
Mitrovicë e Veriut: 64
Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe./ZËRI