
PRISHTINË- Sot ka zgjedhje në Veri të Kosovës. Në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët po votojnë nëse duan apo jo të largojnë kryekomunarët shqiptarë. Që prej orës 7.00 të mëngjesit vendvotimet janë hapur dhe procesi do të përfundojë në orën 19:00. Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç të drejtë vote kanë 46.556 persona.

Në të gjitha komunat në Veri janë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime.
Por edhe pse pa tensione, nuk ka votues. Në procesin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, deri në orën 11:00, sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqit, kanë votuar vetëm 85 persona.
“Qendrat janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si në vijim. Në Leposaviq 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicë të Veriut 32 votues. I ftojmë të gjithë qytetarët që shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe deklarohen nëse janë për ose kundër largimit nga funksioni i kryetarëve,”-tha ai. Takimin e radhës me mediat për t'i përditësuar lidhur me votimin, do ta mbajë në orën 15:00.
Vitin e kaluar, 1566 shqiptarë dhe vetëm 13 persona të nacionalitetit serb, pra 0.029 për qind e serbëve në veri të Kosovës, morën pjesë në zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës. Kështu që referendumi të ketë sukses, duhet të marrin 50 për qind plus një vota nga të gjithë zgjedhësit e regjistruar në komunat respektive.
Por pse po mbahen votimet?
Kryekomunarët shqiptarë u zgjodhën si pasojë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën në prill të vitit 2023, proces që u bojkotua nga Lista Serbe dhe qytetarët që jetojnë në këto komuna. Kështu për herë të parë, udhëheqja u kaloi qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Në krye të Komunës së Leposaviqit u zgjodh Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje; në Zubin Potoku, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës; në Zveçan Ilir Peci, edhe ky kandidat i PDK-së; ndërsa në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq, po nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por menjëherë pasi morën mandatin, në Veri nisën përplasjet dhe protestat. Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, ku pati përplasje mes serbëve dhe ushtarëve paqerues të KFOR-it./ZËRI