
SHBA- Senati amerikan ka votuar për të vendosur zyrtarisht një kod veshjeje. Ky kod do t’i ndalojë tashmë ligjvënësit amerikanë që të shkojnë në punimet e Senatit me veshje jo formale apo sportive. Këto ndryshime kanë bashkuar dhe demokratët dhe republikanët në senat, të cilët ranë dakort pavarësisht disa kundërshtive.
Në kod thuhet se burrat duhet të vijnë të veshur me pantollona të gjata, xhaketë dhe kravatë. Por me sa duket gratë janë ‘’përjashtuar’’ nga ndryshimet e reja, pasi nuk ka të përcaktuar rregulla të tilla si gjatësia e fundeve apo dekoltetë.
Autori republikan i rezolutës, Mitt Romney, tha se ndjekja e një kodi zyrtar do t'i lejonte senatorët të tregonin respektin e tyre për institucionin e qeverisë.
Në një fjalim Romney vuri në dukje se zyrtarizimi i kodit të veshjes nuk është çështja më urgjente për Kongresin Amerikan, ku luftimet e ashpra politike po e shtyjnë qeverinë drejt mbylljes brenda pak ditësh. Por sipas tij kjo ëhstë një gjë e mirë, raporton BBC.
Kjo “fortunë” ndryshimesh erdhi pasi senatori demokrat John Fetterman shkeli disa herë kodin e veshjeve. Po ashtu dhe shumë kolegë të tij shkonin të veshur sportivë apo me kapele kauboji në Senat./Zëri