
PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiç se fshihen pas shkëmbimit të zjarrit që ndodhi të dielën në Veri të Kosovës. Autoritetet e Kosovës thanë se Policia luftoi rreth 30 serbë të armatosur rëndë, të cilët sulmuan fshatin e qetë të Banjskës dhe u barrikaduan në një manastir ortodoks serb. Tre sulmues dhe një polic u vranë. Beteja me armë ka nxitur shqetësime të reja ndërkombëtare për stabilitetin në Kosovë.
“Kosova është nën sulm,”- tha Osmani për Reuters në një intervistë në zyrën e saj.
Më pas, ajo shtoi: Grupi (i armatosur) thjesht ushtroi synimet dhe motivet e Serbisë si shtet dhe Vuçiçit si udhëheqës.
Ndërkohë Serbia dhe Vuçiç i kanë mohuar akuzat, madje fajësojnë Kosovën për nxitjen e dhunës që sipas tyre është pasojë e keqtrajtimit të serbëve, një akuzë që Kosova e hedh poshtë. Osmani tha se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron për të përmbushur një 'model të Krimesë' duke krijuar tensione në veri të Kosovës, ku rreth 50,000 serbë vendas ende e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre dhe refuzojnë sundimin nga Prishtina.
"Ajo që unë do t'i thosha presidentit Vuçiç është ndaloni dhe mos u merrni me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim. Ata po përpiqen të implementojnë modelin e Krimesë, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë... Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës. Rusia pushtoi dhe aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, dhe autoritetet e Kosovës kanë frikë se Serbia mund të shkëputë pjesën veriore të Kosovës,"- tha Osmani.
Qeveria e Kosovës ka publikuar ato që thotë se janë fakte që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje të tjera nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë.
“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni,”- tha ajo.
Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Në fillim të këtij viti ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga BE, por që atëherë ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si ta zbatojnë atë.
Osmani tha se bisedimet mes të dyve nuk mund të vazhdojnë si më parë.
"Absolutisht nuk është më biznes si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje,"-tha ajo.
Tre persona janë akuzuar deri më tani për pjesëmarrjen në sulm. Policia shfaqi një sërë armësh dhe municionesh, të cilat pretenduan se i kishin sekuestruar në Veri./Zëri.ai
Marrë nga Reuters