
STAMBOLL- Turqia ishte e ftuar në Granada për takimin e Komunitetit Politik Evropian, por jo në konferencën speciale që do të zhvillohej mes Armenisë, Azerbajxhanit dhe Bashkimit Evropian. Azerbajxhani, nga ana e tij, këmbënguli për pjesëmarrjen edhe të Turqisë, por Gjermania dhe Franca e kundërshtuan ashpër.
Kështu njoftuan agjencitë azere të lajmeve, duke cituar burime të presidentit Ilham Aliyev. Ky zhvillim duket se ka shkaktuar “sëmundjen” e presidentit turk, Recep Tajip Erdogan, me pasojë anulimin e udhëtimit për në Granadë. Agjencia “Anadolu” pretendon se tashmë edhe Azerbajxhani nuk do të marrë pjesë në takim.
"Azerbajxhani refuzon të marrë pjesë në takimin e Granadës me Armeninë, BE-në, Francën dhe Gjermaninë, pasi pjesëmarrja e Turqisë u refuzua,"- tha agjencia turke e lajmeve.
Rajoni i shkëputur i Nagorno-Karabakut, pa dalje në det, është objekt i një mosmarrëveshjeje territoriale të pazgjidhur midis Azerbajxhanit dhe shumicës së tij etnike armene.
Më shumë se 100 mijë persona kanë ikur nga krahina e Nagorno-Karabakut. Kjo do të thotë se gati të gjithë banorët e enklavës armene, popullsia e së cilës vlerësohej të kapte shifrën e 120 mijë banorëve, janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur Azerbajxhani mori nën kontroll krahinën javën e shkuar./Zëri.ai