
ATHINË – Në vazhdë të hetimit për rastin e vrasjes së gjashtë turqve pasditen e 11 shtatorit 2023, në zonën e Luccas, policia greke arrestoi dy persona me shtetësi të huaj dhe po kërkon një person të tretë si autor të ekzekutimeve.
Të arrestuarit janë një 28-vjeçar turk, i cili u prangos mëngjesin e djeshëm në zonën e Agios Dimitrios, por edhe për një 32-vjeçar, bashkatdhetar i tij, i cili u arrestua menjëherë pas masakrës në aeroportin Eleftherios Venizelos, duke u përpjekur të arratisej në Turqi.
Siç rezultoi nga hetimi i Departamentit të Krimeve Kundër Jetës në Drejtorinë e Sigurisë të Atikës, autorë të ekzekutimit mafioz janë dy të arrestuarit dhe të paktën një person tjetër, i paidentifikuar, i cili është në kërkim.
32-vjeçari dyshohet se ka pasur një rol kryesor, pasi ka qenë ai që ka marrë përsipër transportin e gjashtë viktimave nga Athina pranë aeroportit, ku do kryhej vrasja. Ai i ka çuar në një banesë të braktisur në Lucca, me argumentin se shtëpia është afër aeroportit, pasi viktimat deri në atë kohë qëndronin në një apartament në Paleo Faliro, i cili ishte marrë me qira.
Nga dëshmitë dhe pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë, rezultoi se 32-vjeçari ka çuar në vendin e vrasjes bashkëpunëtorin e tij 28-vjeçar. 28-vjeçari ka pritur në rrugën Arionos, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka bindur gjashtë viktimat, të hipin në një makinë blu, që dyshohet se kishte si destinacion aeroportin Eleftherios Venizelos, prej nga do të udhëtonin drejt Italisë.
32-vjeçari, në fakt, dyshohet se i përkiste të njëjtës bandë me gjashtë viktimat, por për një arsye të panjohur deri tani vendosi t'i tradhtojë, duke i futur në grackën vdekjeprurëse. 28-vjeçari dyshohet se ka ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore për ekzekutimin teksa ka “skanuar” vendngjarjen, pak para se viktimat të mbërrinin aty.
Mbetet i panjohur roli i personit të tretë që mori pjesë në ekzekutim, po ashtu edhe nëse dy të arrestuarit ishin ata që hapën zjarr, duke ekzekutuar gjashtë turqit apo thjesht ndodheshin në vendngjarje në momentin e masakrës.
Pas një operacioni të koordinuar, policia arriti të lokalizojë 32-vjeçarin turk në aeroportin Eleftherios Venizelos, teksa po përgatitej të arratisej në vendin e tij.
Kontrolli në shtëpinë e 28-vjeçarit
32-vjeçari u identifikua si nga dëshmitë dhe materialet video, ashtu edhe nga rrobat dhe këpucët që kishte në banesë, të cilat ishin ato që mbante në momentin e ekzekutimit. Në të njëjtën mënyrë u identifikua edhe bashkëpunëtori i tij 28-vjeçar, në shtëpinë e të cilit, policia gjeti rroba dhe këpucë, që kishte veshur pasditen e 11 shtatorit.
28-vjeçari u arrestua mëngjesin e djeshëm në një apartament në zonën e Agios Dimitrios, ku dyshohet se qëndronte për herë të fundit. Nga hetimi i Policisë, në banesën e 28-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një sasi kanabisi e papërpunuar.
Dy të arrestuarit janë të njohur për autoritetet
Dy të arrestuarit janë të njohur për autoritetet greke për raste të armëmbajtjeve pa leje dhe transportit ilegal të të huajve, ndërsa gjashtë viktimat, edhe pse nuk kishin qenë të përfshirë në krime në Greqi në të kaluarën, ishin të gjithë anëtarë të një bande të njohur me aktivitet ndërkombëtar.
Disa ditë më pare, policia turke arrestoi dhjetë persona në Stamboll dhe Izmir, mes tyre edhe anëtarë të bandës Daltons, por edhe dy të afërm të viktimave të masakrës së Lucca-s. Të gjithë ata dyshohet se po planifikonin hakmarrje në Stamboll, për vrasjen e 6 personave në Athinë.
Vrasjet mafioze në Athinë dhe arrestimet në Turqi
Ekzekutimi mafioz me gjashtë turq të vrarë ndodhi pasditen e së hënës së 11 shtatorit dhe fillimisht u përfol për larje hesapesh mes bandave të trafikut të drogës. Më shumë se 20 gëzhoja të gjetura në vendin e krimit, si dhe vetë vendi i ekzekutimit, shpërfaqën provat e para sesa mirë ishte organizuar vrasja masive.
Pak ditë më parë në Stamboll u arrestuan 10 turq, që dyshohet se ishin të përfshirë në masakër. Sipas mediave turke, bëhet fjalë për anëtarët e bandës së Baris Boyun, të cilët po përgatisnin reprezalje për vrasjen e gjashtë personave në Artemisa. Arrestimet u bënë gjatë kontrolleve të banesave nga ana e policisë, në disa shtëpi në Stamboll dhe Izmir./Zëri.ai/