
RUMANI- Pas rritjes së shfrenuar të numrit të rasteve të fruthit, si dhe një numri të madh të fëmijëve të infektuar të shtruar në spital, Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë ka shpallur një epidemi të fruthit në nivel kombëtar.
Për momentin janë regjistruar pothuajse 2000 raste në 29 qytete të ndryshme të vendit.
Pas shpalljes së epidemisë në nivel kombëtar, do të vaksinohen fëmijët e moshës 9 deri në 11 muaj. Më herët afati i vaksinimit të fëmijëve për sëmundjen e fruthit në Rumani ishte nga 12 muajsh. Doza e dytë do të bëhet mes moshës 5 dhe 7 vjeç. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë do të zhvillojë një fushatë informuese për prindërit, së bashku me mjekët e familjes, për respektimin më të mirë të programit të vaksinimit.
Fruthi është një sëmundje infektive e cila transmetohet lehtësisht, sidomos te fëmijët e pavaksinuar dhe ndonjëherë mund të shfaqë komplikacione serioze, paralajmërojnë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë në Rumani.
Mbulimi i vaksinimit me dozën e parë, në nivel kombëtar, është 78%, dhe me dozën e dytë, 62% e fëmijëve, duke qenë në një tendencë rënëse prej më shumë se 10 vitesh.
/ZËRI