
IZRAEL- Armëpushimi ka sjellë lirimin e disa prej pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi. Pengët e liruar kanë treguar përjetimet e tyre dhe kushtet me të cilat janë përballuar gjatë robërisë Ata ishin të uritur, flinin në karrige plastike dhe kishin frikë se do të vriteshin nga Hamasi.
Familja e tre ish-pengjeve të Hamasit të liruar gjatë fundjavës rrëfyen se të afërmit e tyre flinin në karrige plastike dhe ishin ushqyer kryesisht me oriz dhe pita përpara se të liroheshin.
Gjyshja Ruthie Munder, vajza Keren dhe djali Ohad u rrëmbyen nga Kibbutz Nir Oz, një fshat izraelit afër kufirit të Gazës. Merav Raviv, kushëriri i Keren ka treguar për mediat izraelite dietën e tyre të kufizuar gjatë kohës që ishin në robëri. Raviv i tha Times of Israel se pengjet flinin në rreshta karrigesh plastike. Gjithashtu ai shtoi se kur duhej të përdornin banjën, ata trokisnin në derë dhe ndonjëherë duhej të prisnin një orë e gjysmë derisa të mund të shkonin.
"Kishte ditë që nuk kishte furnizime, kështu që hanin vetëm bukë, nuk u torturuan, por kishte ditë që mezi kishin për të ngrënë, ata hanin vetëm oriz. Rojet mbanin gjithmonë armë dhe fytyrat e tyre nuk ishin të mbuluara. Herë pas here, anëtarët e Hamasit bënin një lëvizje me duar, sikur t'u prisnin kokat,'-tregoi Raviv.
Të premten në ditën e parë të armëpushimit u lirua një grup i parë prej 24 pengjesh, duke përfshirë katër gjermano-izraelitë. Të shtunën në mbrëmje, një grup i dytë u lirua dhe Kryqi i Kuq solli 13 izraelitë dhe katër shtetas tajlandezë përtej kufirit në Egjipt. Izraeli ndërkohë ka liruar 39 palestinezë nga paraburgimi në këmbim të pengjeve./Zëri.ai