Bota

Rama-Beogradit: Kosova nuk është territor serb! Si rifilloi debati për lumin Ibër?

Sipas kryeministrit shqiptar, pavarësisht debatit politik dhe historik rreth tij, lumi Ibër do të vazhdojë të ndjekë gjeografinë.

Redaksia Zëri
Rama-Beogradit: Kosova nuk është territor serb! Si rifilloi debati
edi rama-foto nga rel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndërhyrë në debatin mes Tiranës dhe Beogradit lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Ky lum që buron në Mal të Zi, kalon përmes Serbisë dhe më pas në Kosovë.

Rama tha se çështja ka të bëjë me ujërat ndërkufitare dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

“Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen në mënyrë magjike në kufirin serb. Në fund të fundit, kjo është arsyeja pse ekziston ligji ndërkombëtar i ujit”, shkroi Rama në rrjetin social X, në mbrëmjen e 10 gushtit.

Sipas kryeministrit shqiptar, pavarësisht debatit politik dhe historik rreth tij, lumi Ibër do të vazhdojë të ndjekë gjeografinë.

Rama iu përgjigj deklaratave të mëhershme të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, ndaj homologut të tij shqiptar, Ferit Hoxha, i cili akuzoi Shqipërinë për “ndërhyrje të motivuar politikisht”.

Rama e cilësoi zhvendosjen e debatit nga çështja e ujërave ndërkufitare te “Shqipëria e Madhe” dhe statusi i Kosovës si pjesë të një “folklori politik” në Beograd duke theksuar Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë.

“Sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, ‘Shqipëria e Madhe’ duhet të thirret menjëherë, sikur përsëritja një ditë mund ta shndërrojë një fantazmë të vjetër në një argument të rëndësishëm”, shkroi Rama.

Sipas tij, Shqipërisë nuk i nevojitet një projekt i “Shqipërisë së Madhe” për ta mbështetur Kosovën duke shtuar se "territori i Kosovës nuk është territor serb dhe se burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Serbisë".

Ndaj kësaj, Gjuriq reagoi sërish më 11 gusht, duke e cilësuar debatin për lumin Ibër si shmangie nga ajo që ai pretendon se është çështja kryesore – rrënimi i shtëpive të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit nga autoritetet e Kosovës.

“Qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për të rrënuar shtëpi serbe, pa proces të rregullt ligjor, përgjatë brigjeve të Liqenit të Gazivodës (Ujmanit) dhe Ibrit, duke ua mohuar njerëzve pronën, qasjen dhe mjetet e jetesës përmes veprimeve që janë haptazi diskriminuese në baza etnike”, thuhet në reagimin e tij në X.

Gjuriq kundërshtoi gjithashtu përfshirjen e Shqipërisë në këtë debat, duke argumentuar se “Ibri është një rrjedhë ujore ndërkufitare…por Ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë”.

Si rifilloi debati për lumin Ibër?

Më 9 gusht, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përsëriti qëndrimin e tij - të disa viteve më parë - për mundësinë e ndryshimit të kahut të Ibrit, duke thënë se tashmë kanë nisur konsultimet me ekspertë të fushës.

Deklaratat e tij u kundërshtuan nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi idenë si “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”.

Edhe ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi duke thënë se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e një shteti dhe as të vendoset në mënyrë të njëanshme.

Ndaj tij reagoi Gjuriq, i cili akuzoi tha se Serbia, si shtet sovran, do të vendosë vetë për mënyrën e menaxhimit të burimeve të saj natyrore.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e liqenit ndodhen në territorin e Kosovës.

Sistemi Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa komuna të Kosovës, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq.

Serbia është palë e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin jo-navigacional të rrjedhave ujore ndërkombëtare.

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re.

Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Vuçiq deklaroi se një ide e tillë ekziston që prej vitit 1985 dhe se në atë kohë ai vetë kishte qenë kundër saj./REL

Poll

MOS HUMB