
SHBA- Reperi R Kelly u dërgua me urgjencë në spital pasi kishte marrë mbidozë ilaçesh në burg. 58-vjeçari, i cili po vuan një dënim me 30 vjet burg, kaloi në mbidozë pasi iu dhanë ilaçe nga stafi i burgut. Të paktën kështu pretendon avokati i tij, ndërsa prokurorët i kanë mohuar këto akuza.
Sipas avokatit të Kelly-t, ai u fut në izolim më 10 qershor dhe punonjësit e burgut i kishin dhënë ilaçe për ankthin. Por së fundmi i kishin dhënë më shumë ilaçe sesa shkruhej në recetë. 3 ditë më vonë, Kelly u tha se ndihej "i dobët" dhe "i marramendur" dhe se kishte nisur që të shihte me njolla. Më pas, humbi ndjenjat dhe u dërgua me urgjencë në spitalin Universitar "Duke", pranë godinës së burgut.
Kelly kaloi dy ditë në spital, ndërsa avokatët e tij pretendojnë se stafi i burgut i kishin dhënë një sasi ilaçi që mund ta kishte vrarë. Avokatët e personazhit të famshëm, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, pretendojnë gjithashtu se ai është keqtrajtuar në burg nga stafi dhe nuk i është dhënë trajtimi i nevojshëm as për mpiksjet e gjakut.
Avokatët e tij kanë kërkuar që ai të lirohet nga burgu dhe të dërgohet në arrest shtëpiak, të paktën përkohësisht. Por ende nuk ka një vendim.
Kelly u dënua me 31 vjet burg pasi u shpall fajtor për shantazh dhe trafikim seksual, akuza të cilat përfshinin abuzim seksual të të miturve. Ai ishte një artist me famë botërore dhe një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave. Gjatë karrierës së tij muzikore, Kelly shiti më shumë se 75 milionë albume./ZËRI