
SHBA- Një nga kandidatët demokratë për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Brad Lander, është arrestuar në një gjykatë për emigracion në Manhattan. Lander, i cili aktualisht mban postin e Kontrollorit të Qytetit (zyrtari i dytë më i rëndësishëm pas kryebashkiakut), po shoqëronte një të pandehur jashtë gjykatës kur u kap nga agjentët e emigracionit. Kur agjentët e ICE tentuan ta arrestonin personin që kishte dalë në gjyq, Lander kërkoi të shihte një urdhër gjyqësor dhe refuzoi t'i linte të pandehurin të largohej pa dokumentin.
Pasi ai nuk u largua, Lander u përplas pas një muri dhe iu vunë prangat.
Një gazetar i Associated Press dëshmoi arrestimin e Lander në një ndërtesë federale në Manhattan. Sipas tij, personi me të cilin Lander po dilte nga salla e gjyqit u arrestua gjithashtu. Lander e kishte kaluar mëngjesin duke vëzhguar seancat dëgjimore në gjykatën e emigracionit dhe i tha një gazetari të AP se ishte atje për të “shoqëruar” disa emigrantë jashtë ndërtesës.
Në momentet para se Landerit t’i viheshin prangat, agjentët mund të shiheshin duke u përpjekur ta ndanin fizikisht Landerin nga burri që kishin ardhur për të ndaluar. Landeri u përpoq për pak kohë të qëndronte pranë të ndaluarit përpara se ta tërhiqnin zvarrë jashtë gjykatës.
"Nuk po pengoj, po qëndroj këtu në korridor. Nuk keni autoritet për të arrestuar qytetarë amerikanë që kërkojnë një urdhër gjyqësor,"-tha Lander ndërsa po i vinin prangat.
Incidenti ndodhi vetëm një javë para zgjedhjeve primare demokratike për kryetar bashkie të Nju Jorkut, duke shtuar tensionet politike në qytet. Lander ka qenë kritik ndaj politikave të emigracionit të administratës 'Trump' dhe ka mbështetur ligje që kufizojnë deportimet e pa një urdhër gjyqësor./ZËRI