
SHBA- "Vendosja e marinsave në Los Angeles vetëm kënaq fantazinë e çoroditur të një Presidenti të rrezikshëm,"-kështu e ka komentuar guvernatori i Kalifornisë vendimin e fundit të presidentit Donald Trump. Republikani nënshkroi dje, të hënën, më 9 qershor 2025, një urdhër për të dërguar 2,000 anëtarë shtesë të Gardës Kombëtare në Los Angeles për të shtypur protestat që shpërthyen pas operacioneve masive "spastrimi" kundër emigrantëve.
Por protestat kundër politikave të administratës Trump për emigracionin po mobilizojnë autoritetet edhe në qytete të tjera të SHBA-së përveç Los Angeles dhe San Franciscos. Protestuesit dolën gjithashtu në rrugë në Atlanta, Seattle, Dallas, Louisville dhe New York. Numri i protestuesve të arrestuar është rritur në të paktën 150 persona.
Newsom i bëri thirrje Trump të revokojë vendosjen e Gardës Kombëtare, duke e quajtur atë një "shkelje serioze të sovranitetit shtetëror". Por po ashtu, guvernatori i paralajmëroi protestuesit se dhuna dhe shkatërrimi i pronave e ndërtesave do t'i vendoste në pranga, megjithatë jo vetëm kaq. Sipas tij, duke protestuar me dhunë, protestuesit vetëm sa po i shërbejnë planit të Trump.
"Trump dëshiron kaos dhe po shkakton dhunë. Qëndroni të qetë. Qëndroni të përqendruar. Mos i jepni justifikimin ai që po kërkon,"-tha ai.
Nga ana tjetër, amerikanët kanë frikë se lufta civile po fillon para syve të tyre. Trump nuk e ka përdorur Aktin e Kryengritjes, por nuk është e qartë nëse ai ka ndërmend ta bëjë këtë. Aktualisht, shteti i Kalifornisë ka ngritur një padi kundër administratës Trump, duke i kërkuar një gjyqtari të shpallë thirrjen e trupave të Gardës Kombëtare jokushtetuese dhe që gjykata të ndalojë vendosjet e ardhshme.
Si shpërtheu kriza?
Filloi kur agjentët e ICE-së bastisën biznese si Home Depot, si dhe depo dhe fabrika, duke arrestuar dhjetëra emigrantë. Brenda dy ditësh, numri i arrestimeve ishte rritur në më shumë se 120, duke shkaktuar zemërim në komunitetet e emigrantëve, kryesisht me origjinë latine.
Kështu, mijëra demonstrues dolën në rrugë, kryesisht në zonën Paramount, duke brohoritur slogane pro-imigrantëve dhe anti-Trump. Por, protestat u përshkallëzuan në përleshje të dhunshme me forcat e sigurisë, të cilat përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe granata tymuese.
Megjithatë, shumë studiues dhe juristë kushtetues theksojnë se ndërhyrja e qeverisë federale pa kërkesën ose pëlqimin e Shtetit mund të përbëjë shkelje të Kushtetutës. Gjykata Supreme pritet të përfshihet nëse ka përshkallëzim ose një kundërshtim ligjor nga Shteti i Kalifornisë./ZËRI