
KOSOVË-Teksa vendimi për dinarin serb ka hapur shumë reagime, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) i ka dërguar Bankës Popullore të Serbisë (BNS) tre opsione se si mund të kryhen transferet e pagesave për qytetarët serbë në Kosovë. Burime brenda BQK-së kanë thënë se nuk kanë marrë përgjigje. Ndërsa, opsionet i janë dërguar edhe Bashkimit Evropian.
BQK-ja ka propozuar si opsion të parë që BNS-ja t’i dërgojë si transfer mjetet në euro te BQK-ja direkt, e BQK-ja t’i shpërndajë nëpër llogari bankare të përfituesve në euro. Opsioni i dytë thotë që BNS-ja t’i dërgojë si transfer mjetet në euro te një bankë ndërkombëtare ku BQK-ja ka llogari, për shembull “Deutsche Bundesbank”, e më pas BQK-ja i shpërndan nëpër llogari bankare të përfituesve në euro.
Dhe opsioni i tretë kalon në nivel të bankave komerciale. Sipas tij, njëra nga bankat komerciale që operon në Kosovë dhe Serbi zgjedhet si opsion. Kështu, Serbia i dërgon si transfer ndërkombëtar mjetet në euro në një bankë komerciale të Kosovës dhe më pas banka e zgjedhur i shpërndan ato nëpër llogaritë e përfituesve në Kosovë në euro.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel./ZËRI