TEHERAN – Një tjetër rast i rëndë, që ka lidhje me ligjet e shtetit iranian, po trondit Iranin dhe opinionin botëror. Armita Geravand, 16 vjeçe, u dhunua brutalisht nga policia, duke përfunduar në gjendje kome, në një metro në Teheran.
Zyrtarët thanë se asaj i ra të fikët dhe u publikuan pamjet e kamerave të sigurisë, në të cilat shihet duke u nxjerrë pa ndjenja nga treni. Grupi i të drejtave të njeriut Hengau tha se ajo iu nënshtrua "një sulmi të rëndë fizik" nga oficerët e policisë morale.
Grupet e të drejtave të njeriut thanë se Armita po trajtohet në spitalin Fajr të Teheranit nën masa të rrepta sigurie dhe se telefonat e të gjithë anëtarëve të familjes së saj ishin konfiskuar. Armita jetonte në Teheran, por ishte me origjinë nga provinca perëndimore e Kermanshah, me shumicë kurde.
"[Ajo] u sulmua fizikisht nga autoritetet në stacionin Shohada, për atë që ata e perceptuan si mospërputhje me 'hixhabin' e detyrueshëm”, thanë organizatat e huaja që ndodhen në Teheran. Për pasojë ajo ka pësuar lëndime të rënda dhe është transportuar në spital.
Dy aktivistë të shquar i thanë gjithashtu agjencisë së lajmeve Reuters se kishte pasur një konfrontim mes vajzës dhe agjentëve që zbatonin kodin e rreptë të veshjes. Mediat cituan një burim të paidentifikuar të thoshte se adoleshentja ishte "shtyrë me forcë nga zbatuesit e ligjit të hixhabit" pasi ajo hipi në tren pa shami dhe se ajo ‘goditi kokën në një shtyllë hekuri’.
Grupi i të drejtave të njeriut tha gjithashtu se kishte marrë informacion që tregonte se prindërit e Armitës ishin intervistuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, Irna, "në prani të oficerëve të lartë të sigurisë nën presion të konsiderueshëm në Spitalin Fajr".
Mediat pranë qeverisë intervistuan nënën e Armitës, e cila thoshte se kishte parë pamjet e kamerave të sigurisë dhe se e ëma pranoi se ajo që ndodhi të dielën ishte një "aksident". “Mendoj se vajza ime nuk ka qenë mirë, do i ketë rënë presioni i gjakut, që ka bërë gabimin e ka qëndruar pa shami”, ka thënë nëna e vajzës në televizionin shtetëror iranian. Menaxhuesi i metrosë së Teheranit, Masood Dorosti, mohoi gjithashtu se kishte pasur "ndonjë konflikt verbal ose fizik" midis Armita-s dhe "pasagjerëve ose punonjësve të metrosë".
"Disa thashetheme për një konfrontim mes vajzës dhe punonjësve të metrosë nuk janë të vërteta dhe pamjet e kamerave të sigurisë hedhin poshtë këtë pretendim", tha ai për Irna. Pamjet thuhet se tregojnë Armitën, me flokët e zbuluar. Duket se agjentët policorë e kanë vërejtur vajzën pa shami dhe kanë nisur dhunën ndaj saj.
Disa iranianë në mediat sociale vunë në dukje se videoja e publikuar nga autoritetet tregonte vetëm shinat dhe jo pjesën e brendshme të trenit, duke mos ditur se çfarë ka ndodhur brenda në tren. Pamjet e hyrjes në stacion, ku mund të kontrollohen hixhabet, gjithashtu nuk u publikuan.
Në mediat botërore bëri jehonë një rast i ngjashëm, me protagoniste Mahsa Amini, një kurde 22-vjeçare e cila vdiq në paraburgim në shtator 2022, pasi u arrestua nga policia e moralit në Teheran për dyshimin se kishte veshur hixhabin e saj "në mënyrë të pahijshme".
Dëshmitarët thanë se ajo u rrah nga oficerët, por autoritetet ia atribuuan vdekjen e saj “gjendjes jo të mirë të saj fizike”. Videoja e kamerave të sigurisë që tregon Aminin duke u rrëzuar në një qendër paraburgimi dhe një foto e saj në spital irritoi shumë iranianë e protestat antiqeveritare shpërthyen në të gjithë vendin, kur ajo vdiq, pas tre ditësh në koma.
Qindra njerëz u vrarë dhe mijëra të tjerë u arrestuan në protestën pas vrasjes së Amin. Një vit pas vdekjes së Mahsa Amini, protestat janë zbutur. Por pakënaqësitë sporadike ende shfaqen dhe shumë vajza e gra sfidojnë ligjin, duke mos mbajtur shami./Zëri.ai/