
KOSOVË- Kërcënohet me jetë Albin Kurti. Të paktën kështu bën me dije Radio Televizoni i Kosovës, i cili referuar burimeve brenda qeverisë Kurti bëjnë me dije se ka pasur kërcënime serioze nga Serbia për vrasjen e Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. RTK shkruan se eleminimi i Kurtit është planifikuar të bëhet në Shkup, ku ai ka qëndruar një natë më parë.
“Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë”, bën me dije RTK.
Lajmi është konfirmuar dhe nga vetë Kurti. Pas homazheve te ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, që vdiqën gjatë protestës së vitit 2007, Kurti tha se këto kërcënime i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar.
Albin Kurti: Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil.
Pas deklaratave të tij, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut Toni Angellovsku ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë tentative për atentat ndaj Albin Kurtit, ndaj edhe nuk ka pasur masa të shtuara sigurie. Megjithatë mediat e Kosovës theksojnë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.
“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.
Deri më tani raportohet se për këtë çështje ka patur një gërshetim operativ serb, me atentatorë të mundshëm nga ekstremistët serbo-maqedonas, të afërt me federatën ruse, por mbetet që institucionet ta zbardhin të plotë skenarin./ZËRI