
SHKUP- Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shkarkuar këtë të premte dy ministra të Qeverisë teknike të Kryeministrit Talat Xhaferri. Raportohet se shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitë.
Kryeministri Talat Xhaferri në arsyetimin e tij, sa i përket shkarkimit të ministrave është shprehur se nuk ka vërejtje për punën e tyre, por se shkak për largimin nga detyra është bërë bashkimi i tyre me Arben Taravarin, kryetarin e ASH. Xhaferri shton se në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare.
Pas shkarkimit ministrat Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu, kanë reaguar duke deklaruar se janë kërcënuar në ‘Facebook’ nga Artan Grubi. Dy ministrat i bëjnë thirrje Grubit të lërë kërcënimet dhe të mos e ndez situatën, por të shënojë ditën 8 maj në kalendar.
Postimi i Mexhitit dhe Aliut:
Artan Grubi në gjendje ankthi të fortë na kërcënon nga fb, pasi shkarkon Ash-në nga Qeveria, na thotë “të flemë të qetë” se për të gjitha do kujdeset Ali Ahmeti…
Artan…leri kërcënimet, bëj ca ditë pushim nëse të ndihmon dhe mos e ndiz situatën. E kuptoj që është fundi yt, por të paktën në fund trego burrni!
Dhe…hape kalendarin…shiko 8 Majin! Afër…shumë shumë afër!
Shkarkimi i ministrave, vjen pak ditë pas nisjes së punës së Qeverisë teknike të drejtuar nga Kryeministri shqiptar Talat Xhaferri. Ministrat akuzojnë Xhaferrin se shkarkimi I tyre është bërë për interesa politike. Qeveria teknike, që ka mandat 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e ka në përbërjen e saj edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja./ZËRI