Bota

Përshkallëzohet konflikti/ Hezbollahu lëshon 320 raketa drejt Izraelit, Netanyahu shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Ushtria izraelite kishte thënë më herët se kishte kryer sulme kundër objektivave të Hezbollahut "në një akt vetëmbrojtjeje" për të hequr kërcënimet që kishte identifikuar

E.K
Përshkallëzohet konflikti/ Hezbollahu lëshon 320 raketa drejt
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Hezbollahu lëshoi 320 raketa drejt Izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmit të këtij të fundit.

Tashmë aeroplanët luftarakë izraelitë po synojnë objektivat e Hezbollahut në Liban pasi zbuluan se grupi libanez do të lëshojë qindra raketa.

“Në vetëmbrojtje për të eliminuar këto kërcënime, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) po sulmojnë objektivat terroriste”, tha zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari.

Izraeli njoftoi se civilët libanezë u paralajmëruan të largoheshin menjëherë nga zonat ku ishte aktiv Hezbollahu, shkruan CNN.

Menjëherë pas kësaj, Hezbollahu tha se kishte nisur një sulm të madh me dron kundër Izraelit në përgjigje të vrasjes së muajit të kaluar të komandantit të lartë ushtarak të grupit.

Sirenat që paralajmëronin për raketa në hyrje mund të dëgjoheshin në të gjithë Izraelin verior këtë mëngjes. Aktualisht nuk ka raportime për të lënduar.

Hezbollah njoftoi se hodhi më shumë se 320 raketa në 11 baza dhe kazerma ushtarake izraelite, duke përfshirë bazën Meron dhe katër vende në Lartësitë Golan.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant shpalli gjendjen të jashtëzakonshme për 48 orët e ardhshme, pas kësaj situate.

Kjo do të thotë se i jep Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) autoritetin për të vendosur kufizime në lëvizjen e civilëve.

Pas vlerësimit të fundit të situatës, Gallant deklaroi një “situatë të veçantë në frontin e brendshëm” në të gjithë Izraelin, sipas një deklarate nga ministria e Mbrojtjes.

Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte "i vendosur të bënte gjithçka për të mbrojtur vendin tonë", në  takimin me kabinetin e tij të sigurisë të dielën, ku kryeministri u zotua "të mbajë një rregull të thjeshtë: kushdo që na lëndon - ne e lëndojmë atë".

“Këtë mëngjes ne zbuluam përgatitjet e Hezbollahut për të sulmuar Izraelin. Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit, ne udhëzuam IDF-në (Forcat e Mbrojtjes të Izraelit) që të veprojnë në mënyrë proaktive ndaj kërcënimit”, tha ai.

Netanyahu shtoi se IDF që atëherë "po vepronte fuqishëm për të penguar kërcënimet" dhe se forcat "shkatërruan mijëra raketa që synonin veriun e vendit".'/ZËRI 

Poll

MOS HUMB