
FRANCË- Themeluesi i aplikacionit Telegram, Pavel Durov, është arrestuar në një aeroport të Francës, mbrëmjen e së shtunës (24 gusht).
Ai ka rënë në pranga në aeroportin Bourget, jashtë Parisit, teksa po bëhej gati të udhëtonte me avionin e tij privat.
39 vjeçari është arrestuar rreth orës 20:00 me orën lokale teksa po udhëtonte nga Azerbajxhani.
Sipërmarrësi me origjinë ruse jeton në Dubai, ku është vendosur Telegram, dhe ka shtetësi të dyfishtë të Francës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas BBC arrestimi i tij është bërë për shkelje të gjetura në aplikacionin popullor të mesazheve.
Telegrami është veçanërisht i popullarizuar në Rusi, Ukrainë dhe shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Aplikacioni u ndalua në Rusi në vitin 2018, pas një refuzimi të mëparshëm nga Z. Durov për të dorëzuar të dhënat e përdoruesit. Por ndalimi u anulua në vitin 2021.
Durov, i cili vlerësohet nga Forbes të ketë një pasuri prej 15.5 miliardë dollarësh, u largua nga Rusia në vitin 2014 pasi refuzoi të përmbushte kërkesat për mbylljen e komuniteteve të opozitës në platformën e tij të mediave sociale VK, të cilën ai e shiti.
Mësohet se Ambasada e Rusisë në Francë po ndërmerr “hapa të menjëhershëm” për të sqaruar situatën.
Duke cituar një përfaqësues nga ambasada ruse në Francë, TASS raportoi se nuk kishte pasur asnjë apel nga ekipi i Durovit në ambasadë, por se po ndërmerrte hapa “të menjëhershëm” në mënyrë proaktive.
Durov dhe vëllai i tij Nikolai themeluan aplikacionin e mesazheve në vitin 2013 dhe ka rreth 900 milionë përdorues aktivë./ZËRI