
SANTORINI- Santorini po i rikthehet normalitetit pas disa javësh lëkundjesh sizmike. Dje në ishull mbërriti anija e parë me rreth 1200 turistë të huaj. Udhëtarët shprehën entuziazmin e tyre për pushimet në destinacionin e njohur, ndërsa theksuan se garancitë e dhëna nga qeveria greke i bindën për të vizituar ishullin.
“Nuk do të vinim nëse nuk do të kishte siguri. Qeveria greke tha ishulli është i sigurt, kështu që u ndjeva rehat të vija”, u shpreh Deborah Terry.
Banorët e Santorinit shpresojnë që ishulli të lulëzojë këtë vit nga turizmi, njëlloj si vitet e mëprashme. Për shkak të lëkundjeve sizmike, ishulli u kthye në një “shkretërirë” në muajin shkurt, pasi banorët u evakuuan. Vala e tërmeteve të muajit Shkurt detyroi jo vetëm ata pak turistë, por edhe banorët vendas të largoheshin nga ishulli, çfarë solli një shqetësim të madh tek autoritetet greke për sezonin turistik.
Por, duket se situata në ishull po shkon drejt normalizimit dhe vendi po bëhet gati të mirëpresë sërish turistë nga e gjithë bota./ZËRI