
Parlamenti i Danimarkës votoi këtë të hënë kundër një projektligji për njohjen e një shteti palestinez, pasi Ministria e Jashtme e vendit tha më herët se kushtet e nevojshme për njohjen e një vendi të pavarur nuk ishin përmbushur. Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njohën zyrtarisht sot shtetin e Palestinës. Kjo zemëroi Izraelin, i cili e quajti këtë veprim " shpërblim për terrorizmin" dhe tërhoqi ambasadorët e tij. Projektligji u propozua fillimisht në fund të shkurtit nga katër parti të krahut të majtë.
"Ne nuk mund të njohim një shtet të pavarur palestinez, për të vetmen arsye se kushtet nuk ekzistojnë realisht këtu," tha Ministri i Jashtëm Lars Loke Rasmussen kur projektligji u debatua për herë të parë në Parlament në prill.
"Ne nuk mund ta mbështesim këtë rezolutë, por shpresojmë se një ditë do të jemi në gjendje," shtoi Rasmussen, i cili nuk ishte i pranishëm sot për votim.
Pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit që shkaktoi fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, Danimarka tha se Izraeli kishte të drejtë për vetëmbrojtje, por së fundmi i bëri thirrje Tel Avivit të tregojë përmbajtje dhe argumentoi se ligji ndërkombëtar duhet të respektohet. Dublini, Madridi dhe Oslo e kanë përshkruar vendimin e tyre si një lëvizje që synon të përshpejtojë përpjekjet për të arritur një armëpushim në luftën e Izraelit me Hamasin në Gaza dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera që të ndjekin shembullin./ZËRI