
ROMË- "Ndalojeni tragjedinë e luftës, përpara se të bëhet humnerë e pariparueshme". Papa Leoni XIV, ka dalë në dritaren e Pallatit Apostolik për lutjen e Engjëllit dhe ka nisur thirrjen e tij në një kohë tensioni kulmor në Lindjen e Mesme, e veçanërisht në Iran, prej nga vijnë njëri pas tjetrit lajme nga sulmet.
Rreth orës 2 të mëngjesit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan lëshimin e 12 bombave "Bunker-Buster" kundër tre centraleve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan. Teherani u përgjigj menjëherë, duke lëshuar raketa në qytetet izraelite të Tel Avivit, Jeruzalemit dhe Haifës e duke shkaktuar rreth 90 të plagosur.
Lajme “alarmuese”, vërtetë, “skenar dramatik” -pohon Papa- duke paralajmëruar rrezikun që e gjithë kjo ta bëjë të bjerë në harresë vuajtjen e përditshme të popullsisë, veçanërisht në Gaza dhe territore të tjera ku mbështetja e duhur humanitare po bëhet gjithnjë e më urgjente.
“Britmë - thotë Papa – “që kërkon përgjegjësi dhe arsye dhe nuk duhet të mbytet nga zhurma e armëve dhe fjalët retorike, që nxisin konfliktin”. Paralajmërimi është të ndalet kjo vazhdimësi dhune, përpara se të zgjerohet dhe të bëhet “humnerë e pariparueshme”.
Të gjithë vihen në pikëpyetje, sepse “nuk ekzistojnë konflikte të largëta, kur është në rrezik dinjiteti njerëzor”, përfundon Papa.
Lufta nuk i zgjidh problemet, përkundrazi i shumon dhe prodhon në historinë e popujve plagë të thella, të cilat duhen breza për t'i shëruar.
Diplomacia t’i bëjë të heshtin armët
“Ka nëna, fëmijë, breza të tërë të rinjsh, fati i të cilëve është vulosur tashmë në këtë luftë. Asnjë fitore e armatosur nuk mund ta shpërblejë dhimbjen e nënave, frikën e fëmijëve dhe të ardhmen e grabitur" - thekson Papa Leoni.
Në përfundim, bëri një thirrje të fuqishme, për të vënë në praktikë mjetet diplomatike;
Diplomacia duhet t’i bëjë të heshtin armët, e kombet të planifikojnë të ardhmen e tyre me vepra paqeje, jo me dhunë dhe konflikte të përgjakshme.