
Egjipti ka marrë "indikacione pozitive" nga lëvizja palestineze Hamas në lidhje me një armëpushim të mundshëm me Izraelin në Rripin e Gazës, tha sot një "zyrtar i rangut të lartë", cituar nga Al-Jazera News, një media e afërt me shërbimet e inteligjencës egjiptiane.
"Hamasi do të paraqesë përgjigjen e tij ndaj propozimit të armëpushimit në ditët në vijim," tha burimi, ndërsa Egjipti ndërmjetëson me Shtetet e Bashkuara dhe Katarin për të pranuar një iniciativë për armëpushim të shpalosur javën e kaluar nga presidenti amerikan Joe Biden.
"Drejtuesit e Hamasit na kanë informuar se po e konsiderojnë seriozisht dhe pozitivisht propozimin e armëpushimit," specifikoi i njëjti "zyrtar i lartë", i cituar nga Al-Jazera News, duke thënë se Egjipti ka marrë "indikacione pozitive nga Hamasi duke deklaruar dëshirën e tij për një armëpushim”.
Këta liderë të Hamasit u “ftuan”, për më tepër, të shkonin në Kajro “për të diskutuar të gjitha detajet e situatës aktuale”, sqaroi i njëjti burim.
Presidenti amerikan dhe 16 liderë të tjerë, kryesisht nga Evropa dhe Amerika Latine, i bënë thirrje sot Hamasit të pranojë propozimin e armëpushimit tani në tryezë. Plani kërkon një armëpushim gjashtëjavor të shoqëruar me tërheqjen e Izraelit nga zonat e populluara të Gazës, lirimin e disa pengjeve të mbajtura në enklavën palestineze, kryesisht gra dhe të sëmurë dhe palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
“Është koha që kjo luftë të përfundojë dhe kjo marrëveshje është një pikënisje e nevojshme”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të përbashkët me liderët e Francës, Britanisë, Gjermanisë, Kanadasë, por edhe Argjentinës, Brazilit dhe Kolumbisë./ZËRI