
BEOGRAD- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçeviç ka propozuar që shqiptrari Demo Berisha të mbajë postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave. Një propozim ky, që ka shkaktuar debate dhe kundërshtime nga përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Kjo pasi Berisha është njohur si shqiptari që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është deklaruar publikisht se atdheu i tij është Serbia. Madje ai i referohet Kosovës si “Kosova e Metohi”.
Kush është Demo Berisha?
Demo Berisha ka deklaruar se ka lindur në Pejë, Kosovë por jeton në Novi Sad, Serbi. Madje, në një intervistë për televizionin e Vojvodinës (RTV Panonia dhe kanal 9), ai ka pranuar se shkollën fillore e ka kryer në Kosovë, ndërsa, pastaj e ka vazhduar në Sarajevë, ku ka kryer shkollën ushtarake, dhe më pas është zhvendosur në Novi Sad.
Berisha ka pranuar se ka qenë pjesëtar i ushtrisë jugosllave dhe ka përfunduar karrierën e tij në ushtrinë e Serbisë, duke punuar një kohë të gjatë në policinë ushtarake.
“Unë kam lindur në Kosovë. Në Kosovë e kam përfunduar shkollën fillore. Pastaj kam përfunduar shkollën suhtarake në Sarajevë dhe kam vazhduar shkollimin në Novi Sad. Kam qenë pjesëtarë i ushtrisë së Jugosllavisë. Pastaj, kam përfunduar karrierën në Ushtrinë e Serbisë. Kam punuar shumë vite në policinë ushtarake në Novi Sad. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë”, ka thënë ai në një intervistë.
Berisha ka pranuar se atdheu i tij është Serbia, dhe po në këtë territor është e përfshirë edhe Republika e Kosovës.
“Shoqata funksionon në tërë territorin e Serbisë, Unë nuk e ndaj Serbinë. Kur flas për territorin e Serbisë, nuk e ndaj Serbinë dhe Kosovën. Unë besoj në Kushtetutë dhe them se Serbia është e pandashme”, ka pranuar ai.
Berishës nuk i kanë penguar të qëndrojë në ushtrinë Serbe edhe krimet që ushtria serbe i ka kryer para luftës dhe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe për të Kosova është pjesë e Serbisë.
Ai e quan Kosovën si “Kosova e Metohi”, dhe pretendon se nuk është shqiptari i vetëm që mendon kështu. Ndërsa në vitin 2014 ka krijuar në Serbi, organizatën joqeveritare “Ama e Shqiptarëve të Serbisë” (Matica Albanaca Srbije – MAS), e cila sipas tij ka 4600 anëtarë në territorin e Vojvodinës nga 6000 shqiptarë, dhe pretendon se në tërë territorin e Serbisë thotë se ka mbi 180.000 Shqiptarë. Sipas tij, kjo shoqatë merret me marrëdhëniet shqiptaro-serbe, dhe për më shumë, avancimin e të disa të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
Nga ana tjetër, Kamberi reagoi ashpër ndaj këtij propozimi. Ai tha se propozimi që Demo Berisha të jetë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në qeverinë e re të Serbisë është “një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, ka rezistuar dhe është sakrifikuar për të drejtat e tij në Serbi”.
“Vuçiq sikurse Millosheviqi, “vazhdon me politikën e shqiptarëve të ndershëm”
Propozimi i Demo Berišës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi.
Ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm. Sepse Demo Beriša nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
Siç dëshmojnë pamjet, deklaratat dhe intervistat publike, Demo Beriša është një ish-oficer i ushtrisë serbe, pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë.
Edhe pse thotë se është nga Peja, ai publikisht deklaron se atdheu i tij është Serbia, se Kosova është “Kosova e Metohisë” dhe mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq – ai është themelues i një organizate me emër serb, “Matica Albanaca Srbije,” ku mbrohet trashëgimia e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhat më të errëta të historisë sonë, madje edhe Esat Pashë Toptani, i njohur për tradhti ndaj kombit shqiptar.
Demo Beriša vetem mund te jete Faik Jašari 2.0, i cili ishte pjesëmarrës në delegacionin e Serbisë në Rambuje. Faik Jašari, edhe pse kishte zgjedhur të mbetet pjesë e institucioneve të Serbisë para vitit 1999, pas luftës u detyrua të largohej nga Kosova dhe për 20 vjet nuk është kthyer më.
Ai është simbol i një të kaluare që ka përfunduar. Ai mbetet jashtë institucioneve, jashtë Kosovës, si një figurë e harresës dhe disfatës, figure kuislinge.
Ndërsa Demo Beriša, i cili ndan të njëjtën ideologji me Jašarin – që Kosova është Serbi dhe shqiptarët duhet të nënshtrohen nën këtë realitet – po promovon këtë frymë si “shqiptari model” për Serbinë.
Ai shfaqet në intervista duke mohuar NATO-n, duke përkrahur narrativën serbe për luftën dhe duke u paraqitur si përfaqësues i shqiptarëve në Serbi. Ai është përdorur dhe po përdoret si një mjet propagandistik për të legjitimuar narrativën se shqiptarët janë të integruar dhe të kënaqur në Serbi – për sa kohë që ata mohojnë Kosovën dhe i binden Beogradit.
Demo Beriša nuk përfaqëson shqiptarët, por një version të të instrumentalizuar për interesa të politikës serbe, sikurse disa tjerë në periudhën e Millosheviqit.
Propozimi i tij si ministër nuk është për të drejtat e njeriut, por për vazhdimin e një politike që do të shuajë zërin e shqiptarëve të vërtetë në Serbi, sikurse përfaqëson edhe një fyerje për të gjitha pakicat tjera në Serbi, që përbëjnë 20 përqind të popullatës së këtij shteti.
Ky propozim është i rrezikshëm sepse legalizon mohimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, dhe institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e tyre do të shndërrohet në një parodi të vetvetes.
Prandaj, ky emërim nuk duhet të kalojë pa reagim – as nga shqiptarët e Luginës, as nga institucionet në Prishtinë, as nga Tirana zyrtare dhe as nga faktori ndërkombëtar.
Heshtja ndaj këtij absurdi është bashkëfajësi”, thuhet në reagim./ZËRI