Bota

Zelenskyy fton Trumpin në Ukrainë: Shikoni nga afër dëmet nga pushtimi i Rusisë

Udhëheqësit ndërkombëtarë dënuan sulmin e Rusisë në qendër të qytetit ukrainas Summy të dielën, ku u vranë 34 njerëz, duke përfshirë edhe 2 fëmijë.

k.m.
Zelenskyy fton Trumpin në Ukrainë: Shikoni nga afër dëmet
Volodymyr Zelenskyy

KIEV- Presidenti Volodymyr Zelenskyy e ka ftuar Donald Trumpin të vizitojë Ukrainën për të parë shkatërrimin e shkaktuar nga pushtimi rus, ndërkohë që presidenti i SHBA duket se ka nënvlerësuar sulmin e fundit vdekjeprurës të Moskës, më të keqin ndaj civilëve këtë vit, duke e quajtur atë "një gabim". Udhëheqësit ndërkombëtarë dënuan sulmin e Rusisë në qendër të qytetit ukrainas Summy të dielën, ku u vranë 34 njerëz, duke përfshirë edhe 2 fëmijë.

I pyetur për sulmin e Rusisë ndaj civilëve, Trump tha se po përpiqej të ndalonte luftën.

"Unë mendoj se ishte e tmerrshme dhe më thanë se ata bënë një gabim, por mendoj se është një gjë e tmerrshme. Mendoj se e gjithë lufta është një gjë e tmerrshme,"- tha ai. Trump la të kuptohej gjithashtu se paraardhësi i tij Joe Biden ishte fajtor për luftën që filloi me pushtimin e Vladimir Putin.

"Kjo luftë nuk do të kishte filluar kurrë nëse unë do të isha president. Ajo luftë është një turp,"-tha ai.

Komentet e tij të fundit shkaktuan një përgjigje të zemëruar nga ukrainasit të cilët janë të frustruar nga dështimi i Trump për t'u përballur apo dënuar me Putinin.

Në një intervistë me emisionin 60 Minutes të CBS, të regjistruar para sulmit ndaj Summy-t, Zelenskyy i kërkoi Trumpit të shihte vetë dëmin nga pushtimi rus.

“Ju lutemi, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni njerëz, civilë, luftëtarë, spitale, kisha, fëmijë të lënduar ose të vdekur.Ne nuk do të përgatisim asgjë. Nuk do të jetë teatër. Mund të shkoni saktësisht ku të doni, në çdo qytet që [ka qenë] nën sulm,”- tha ai. Po ashtu, Zelenskyy shprehu zhgënjimin që figura të larta të Shtëpisë së Bardhë vazhdojnë të përsërisin pikat e bisedimeve të Kremlinit.

Kievi ka pranuar një propozim të SHBA-së të bërë një muaj më parë për një armëpushim 30-ditor. Por pavarësisht gjithçkaje, gjatë kësaj periudhe Rusia ka përshkallëzuar bombardimet e saj ndaj qyteteve të Ukrainës./ZËRI

Poll

MOS HUMB