Bota

Një grup eurodeputetësh kërkojnë dorëheqjen e komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi

Letra bën thirrje që Varhelyi të japë dorëheqjen ose të shkarkohet, pasi njoftoi për pezullim të ndihmave me palestinezët, pa u konsultuar me qeveritë e BE-së.

D.XH
Një grup eurodeputetësh kërkojnë dorëheqjen e
Oliver Varheleyi

BRUKSEL - Në një letër të hapur drejtuar Presidentit të Komisionit Evropian, një grup eurodeputetësh nga Të Gjelbërit, Socialistët dhe Demokratët e të Majtës kërkojnë dorëheqjen e Komisionerit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Letra bën thirrje që Varhelji të dorëheqet ose të shkarkohet për tejkalimin e kompetencave të mandatit të tij, pasi ai njoftoi pezullimin e ndihmës për palestinezët, pa u konsultuar me qeveritë e BE-së.

Thuhet se komisioneri europian Varhelji nuk ka kompetencë të vendosë për këtë në mënyrë të njëanshme dhe as ta shpallë zyrtarisht në llogaritë e tij në rrjetet sociale dhe se vendimi nuk është i duhuri.

Kjo nuk është hera e parë që Varhelji ‘kapërcen kufirin’ dhe vepron kundër rregullave ndërinstitucionale. Shumë eurodeputetë kërkuan dorëheqjen e tij në shkurt, pasi ai u tha atyre në seancën plenare të Parlamentit Evropian se ata ishin "idiotë".

“Fyerjet që Varhelji u drejton institucioneve të BE-së dhe funksionimit të tyre demokratik nuk miratohen. Prandaj i kërkojmë komisionerit të japë dorëheqjen ose të shkarkohet”, thuhej në letër.

Letra e hapur për Ursula von der Leyen do të dërgohet gjatë ditës së sotme. Projektletra drejtuar kreut të Komisionit është nënshkruar nga 12 eurodeputetë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB