NEW YORK- Kufizime të reja jan vendosur ne New York për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkollat publike, duke ndaluar përdorimin e mjeteve të AI nga nxënësit deri në klasën e tetë.
Sipas rregullave të reja, fëmijët deri në moshën rreth 13 vjeç nuk do të mund të përdorin mjete të inteligjencës artificiale gjatë procesit mësimor. Ndërsa në shkollat e mesme, përdorimi i tyre do të lejohet vetëm në raste të përcaktuara dhe kryesisht për qëllime edukative.
Masa vjen pas shqetsimeve të ngritura nga prindër dhe mësues mbi ndikimin që përdorimi i pakontrolluar i AI mund të ketë te fëmijët, veçanërisht në zhvillimin e tyre njohës dhe mirëqenien psikologjike. Në diskutimet që kanë paraprirë vendimin ështe ngritur edhe çështja e ndikimit mjedisor të teknologjisë.
Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu ndalimin e chatbot-eve të krijuara për t’u ofruar nxënësve shoqëri virtuale apo mbështetje psikologjike. Ndërkohë, mësuesit do të mund të përdorin Ai për përgatitjen e mësimeve, materialeve pedagogjike dhe komunikimeve.
Departamenti i Arsimit në New York rekomandon edhe kufizimin e kohës para ekranit gjatë mësimit. Për nxënësit e klasave të gjashta deri në të teta rekomandohen jo më shumë se 45 minuta, ndërsa për nxënësit e shkollave fillore deri në 30 minuta.
Vendimi pritet të ndiqet me interes në SHBA, pasi sistemi publik shkollor i New York është më i madhi në vend dhe përfshin më shumë se 900 mijë nxënës./ZËRI