
FRANCË-Franca ka vulosur të drejtën e abortit në kushtetutë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ministri i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti përdori një shtypshkronjë të shekullit të 19-të për të vulosur amendamentin për abortin në kushtetutën e Francës në një ceremoni të veçantë.
Duartrokitjet mbushën Place Vendome, ndërsa Franca u bë vendi i parë që garantoi në mënyrë të drejtat e abortit në statutin e saj kombëtar. Masa u miratua me shumicë dërrmuese nga ligjvënësit francezë në fillim të kësaj jave dhe ajo tani hyri në fuqi, shkruajnë mediat e huaja.
Ndërsa aborti është një çështje thellësisht përçarëse në Shtetet e Bashkuara, ai është i ligjshëm në pothuajse të gjithë Evropën dhe mbështetet në masë dërrmuese në Francë, ku shihet më shumë si një çështje e shëndetit publik sesa politikës. Ligjvënësit francezë miratuan amendamentin kushtetues të hënën me një votim 780-72, i cili u mbështet nga shumë ligjvënës të ekstremit të djathtë.
Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti atë një rezultat të drejtpërdrejtë të vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA në vitin 2022 për heqjen e të drejtave të mbajtura prej kohësh të abortit.
Kritikët e Macron vunë në pikëpyetje pse ai ndoqi masën në një vend pa kërcënim të dukshëm për të drejtat e abortit, por ku gratë përballen me një mori problemesh të tjera. Ndërsa disa gra franceze e panë hapin si një fitore të madhe, të tjera thanë se në realitet jo çdo grua franceze ka akses në abort./ZËRI