
KOSOVË- Ndahet nga jeta komandant “Raketa”, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-truproja e Hashim Thaçit, gjatë kohës që ky i fundit ushtronte detyrën e Kryeministrit apo Presidentit. Lajmin për vdekjen e Xhavit Ferizit e kanë bërë me dije familjarët.
“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjar, miq e dashamirë, ju njoftojmë se sot në mëngjes ka ndërruar jetë babai jonë Xhavit Ferizi – Raketa, duke na lënë përjetësisht të pikëlluar por keenar që jemi gruaja dhe fëmijët e tij”, thuhet në njoftimin e familjes.
Për vdekjen e komandant “Raketës” ka reaguar dhe djali i ish-Presidentit Thaçi, Endrit Thaçi. Në një postim në Instastory ku ka ndarë disa foto të Ferizit krah të atit, Endriti shkruan: “Ishte i pandashëm me babin për 30 vite. Ishte një prej njerëzve më të dashur të familjes. Do të jetosh përjetësisht në kujtimet tona, Raketë. Pushofsh në paqe”.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhavit Ferizi (Raketa), ndërroi jetë për shkak të sëmundjes së rëndë. Pavarësisht fitimit të shumë betejave gjatë luftës, ai nuk arriti dot ta fitonte betejën e fundit të tij./ZËRI