Bota

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së takojnë homologët ballkanas

Takimi mes ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së me ato të Ballkanit Perëndimor zhvillohet për të afruar qasjet e shteteve europiane në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

D.XH
Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së takojnë
Ministrat e Jashtem te vendeve te BE ne Bruksel

BRUKSEL – Përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Ballkanit Perëndimor duhet t'i bashkohen homologëve të tyre të BE-së më rregullisht për takime, për t'u përafruar gjithnjë e më shumë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të bllokut, sipas një dokumenti mbi "bashkëpunimin më të thellë" me rajonin, përpunuar nga një grup vendesh të BE-së.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të BE-së të paraqesin një axhendë të qartë për integrim gradual për BP dhe të përshpejtuar me hapa konkretë zbatimi deri në vitin 2024 dhe më tej”, nënshkruan shtetet e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Greqisë, Italisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, në dokumentin që qarkulluan, përpara një takimi të përbashkët ministror me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Dokumenti u iniciua nga Austria, një avokate e vendosur e zgjerimit, e cila kishte lobuar në mënyrë aktive për hapa të ngjashëm më parë.

“Bashkëpunimi i zgjeruar do të na bënte më efektivë në përballimin e presioneve të jashtme dhe kundër narrativave ruse dhe të tjera të dëmshme në rajon që janë të papajtueshme me vlerat e BE-së dhe do kishim një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, thuhet në dokument.

Me rajonin që po përballet me ndërhyrje të huaja, dezinformim dhe migrim të paligjshëm, ministrat e BE-së argumentojnë nevojën për të krijuar një shkëmbim më të rregullt dhe të strukturuar me partnerët, duke ndjekur procedurat dhe politikat e përcaktuara të BE-së.

Kjo do të përfshinte një ftesë për ministrat e Ballkanit Perëndimor për t'u bashkuar në takimet formale dhe jozyrtare të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së dhe ambasadorët e vendeve për t'u bashkuar në takimet jozyrtare me homologët e tyre në Komitetin Politik dhe të Sigurisë (PSC) për tema me interes të përbashkët.

Përafrimi i vendeve kandidate për në BE me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të bllokut është një nga parakushtet për t'u bashkuar me BE.

Sipas dokumentit, shërbimi diplomatik i BE-së, EEAS, mund të "sigurojë linja të përshtatura për ministrat e Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar pozicionet e tyre me ato të BE-së”.

Përpjekjet e shtuara për zgjerim të hapësirës së BE-së do të vijnë gjithashtu me "vizita më të rregullta dhe të koordinuara" në rajon në emër të kryediplomatit të BE-së Josep Borrell dhe shkëmbime më të rregullta për diplomatët dhe nëpunësit civilë.

Dokumenti i diskutimit erdhi pak përpara se ministrat e jashtëm të BE-së të takonin homologët e tyre nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia të hënën (13 nëntor) dhe pritej të diskutonin hapat e ardhshëm në përafrimin e tyre me politikën e jashtme dhe të sigurisë së bllokut.

Euractiv raporton se kjo ide ka gjetur mbështetje të madhe në rajon, me disa nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që e kanë ngritur këtë çështje publikisht dhe privatisht gjatë vitit të kaluar.

Disa ministra të Ballkanit Perëndimor kishin shprehur më herët zhgënjimin për lëvizjen e ngadaltë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe argumentuan se janë pro një rruge graduale të integrimit "progresiv" - me akses në tregun e përbashkët të BE-së dhe në fusha të ndryshme të politikave si energjia apo transporti – përpara anëtarësimit në bllok.

“Ne do të kemi një takim të veçantë me ministrat e Ballkanit Perëndimor [të Punëve të Jashtme] për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon, për të diskutuar propozimet e fundit të Komisionit [Europian] për zgjerimin”, tha kryediplomati i BE-së Josep Borrell përpara takimit.

"Disa vende nuk kanë një histori të mirë në përputhje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet," shtoi Borrell.

Me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, BE-ja vendosi njëmbëdhjetë raunde sanksionesh ekonomike ndaj Moskës, por vende si Serbia dhe Turqia nuk kanë vepruar në përputhje të plotë me politikën e bllokut.

Takimi ministror BE-Ballkani Perëndimor vjen një javë pasi Komisioni Evropian publikoi raportet vjetore të progresit të zgjerimit dhe disa javë përpara se liderët e BE-së të priten të takohen me homologët e tyre nga rajoni në një samit BE-Ballkani Perëndimor në mes të dhjetorit./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB