
GJILAN- Gjendet i vdekur biznesmeni 66-vjeçar nga Gjilani i Kosovës, Musah Hamiti, i cili ishte denoncuar i zhdukur që prej 10 janarit. Në denoncimin e bërë për zhdukjen e tij, familjarët thanë se ai kishte me vete 80 mijë franga. Por është gjetur i pajetë mbrëmjen e djeshme në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan-Kamenicë.
“Ju njoftoj se me datë 26.02.2024 rreth ores 22:37, policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informatë se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan -Kamenicë është vrejtur një person i cili dyshohet të jetë i vdekur. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante, ku me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion,”- ka thënë zëdhënësi, Ismet Hashani.

66-vjeçari kishte me vete 80 mijë frangat si dhe tre telefona celularë, të cilat i kishte me vete ditën që u zhduk. Detaje që ngrenë dyshime tek ekipi i Policisë që po heton rastin.
Për zhdukjen e biznesmenit ishin arrestuar më herët dy shtetase të Shqipërisë, Silvana Dulellari dhe Marinela Markoviç, të cilat ishin kontaktet e tij të fundit në celular. Marinela Markoviç është me origjinë nga Shkodra, por në moshën 16-vjeçare është "shitur" nga familja e saj tek një serb në Zvicër, me të cilin u martua në moshën 24-vjeçare dhe solli në jetë një vajzë. Pas ndarjes, ajo ishte kthyer dhe prej katër vitesh jetonte në Kosovë dhe kishte nisur kontaktet me biznesmenin, por mohoi se kishin një lidhje intime së bashku.
"E takova dhe më tha nëse nuk kthehem deri në orën 12 të natës, lajmërom në polici, se unë po shkojë t’i kërkojë ose paratë ose gocën për të cilën kam paguar”.
Sipas dëshmisë së avokates së Marinelës, dyshohet se Musah Hamiti merrej me prostitucion dhe ditën e zhdukjes kishte shkuar të blinte një femër për të cilën edhe klientja e saj ka qenë në dijeni, por nuk e ka kallëzuar para Policisë.
“Personi i zhdukur e ka blerë një femër nga një person, i cili e kishte atë të dashur, dhe i ka propozuar atij që të blejë një femër për një shumë të caktuar, e për këtë Marinela ka qenë në dijeni. Marinela dhe Musai kanë qenë miqë të afërt, sa herë që ka ardhur ai nga Zvicra në Kosovë, vetë apo edhe me bashkëshorten e tij, ata të dy janë takuar me njëri tjetrin, pasi që ishin edhe fqinjë në të njëjtin bllok. Nuk ka ndonjë provë që ajo dëshmon se Marinela është e përfshirë në këtë çështje përveç dyshimeve të cilat janë ngritur, vetëm sepse ajo është mikeshë e tij,”- ka dëshmuar avokatja.
Ekspertiza që do t'i bëhet kufomës së viktimës, do të zbulojë shkakun e vdekjes së tij, që në dukje nuk ka qenë tentativë për grabitje, pasi të gjitha paratë i ka pasur me vete./ZËRI