Bota

VD/ Mbreti Charles lë spitalin, ndërsa Kate po shërohet në shtëpi

Mbreti Charles është larguar nga spitali, pas trajtimit për prostatën. Këtë mëngjes, Catherine, Princesha e Uellsit, u largua nga i njëjti spital qendror i Londrës, pothuajse dy javë pasi iu nënshtrua operacionit.

D.XH
VD/ Mbreti Charles lë spitalin, ndërsa Kate po shërohet në
Mbreti Charles

MBRETËRIA E BASHKUAR - Mbreti Charles është larguar nga spitali, pas trajtimit për prostatën. Mbreti doli nga spitali privat i Klinikës së Londrës, pasi kishte kaluar tre netë atje, pas problemeve me prostatën.

Këtë mëngjes, Catherine, Princesha e Uellsit, u largua nga i njëjti spital qendror i Londrës, pothuajse dy javë pasi iu nënshtrua operacionit abdominal. Princesha u çua në shtëpinë e saj në Uindsor, pa ndonjë paraqitje publike dhe do të kalojë muaj për t’u rikuperuar.

Nuk është zbuluar se çfarë operacioni ka zhvilluar ajo, por princeshës do t'i duhen muaj të tërë rikuperimi. Princesha e Uellsit kishte kaluar 13 netë në spital që nga operacioni dhe nuk pritet të kthehet në detyrat zyrtare, deri pas Pashkëve. Ajo nuk është shfaqur në publik që nga dita e Krishtlindjeve dhe u largua sot në mëngjes nga spitali, pa bujë të madhe.

Pallati Kensington tha se Princi dhe Princesha e Uellsit donin t'i dërgonin një faleminderit të madh ekipit mjekësor në spitalin qendror të Londrës dhe për urimet që kanë marrë nga e gjithë bota. Në Deklaratën e Pallatit u tha se princesha do të "vazhdojë shërimin e saj" nga shtëpia, në Adelaide Cottage në Windsor. Ajo do të kthehet te fëmijët e saj dhe bashkëshorti Princi William, i cili u pa duke vizituar gruan e tij gjatë qëndrimit të saj në spital.

Catherine, 42 vjeçe, po qëndronte në të njëjtin spital privat me Mbretin, i cili e vizitoi atë përpara se të bënte një procedurë për zmadhimin e prostatës të premten. Mbreti kishte qenë në spital pasi ishte trajtuar për një problem të prostatës, i cili nuk është kanceroz dhe një gjendje e zakonshme tek burrat e moshuar, sipas NHS.

Rreth një në tre burra mbi moshën 50 vjeç kanë disa simptoma të një prostate të zmadhuar, e cila është një gjëndër që ndodhet pak poshtë fshikëzës. Plani që mbreti Charles, 75 vjeç, të kishte procedurë korrigjuese për prostatën e tij u bë publik, si një mënyrë për të inkurajuar burrat e tjerë, që të bënin kontrolle të prostatës. Faqja e internetit e NHS regjistroi një rritje të kërkimeve, në lidhje me prostatat e zmadhuara dhe Mbreti ishte i kënaqur, kur mësoi se diagnoza e tij ka një ndikim pozitiv në ndërgjegjësimin e shëndetit publik./BBC - ZËRI/

Poll

MOS HUMB