
SERBI-Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka njoftuar ditën e sotme se Guajana, kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka vendosur që seanca e jashtëzakonshme për Kosovën të jetë e hapur. Daçiç ka thënë për RTS, se pas bisedës që ka pasur me ministrin e jashtëm të Guajanës, ky vend, ka udhëzuar kreun e misionit në OKB të caktojë një seancë në format të hapur, pa votim.
Daçiç u shpreh se një seancë e hapur do të ishte me rëndësi, pasi sipas tij, duhet të dëgjohen arsyet dhe argumentat kundër përpjekjes për ta larguar dinarin.
“Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por sipas informacioneve që kemi, Guajana ka vendosur që seanca të jetë e hapur, ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht në faqen e Këshillit të Sigurimit, por kemi marrë informacion nga ministri i jashtëm i Guajanës se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë pranuar vendimin e Guajanës për të caktuar një seancë të hapur. Është shumë me rëndësi që presidenti ynë, Aleksandër Vuçiç, të flasë në një seancë të hapur dhe fjalimi i tij të jetë i dukshëm, që të gjitha “arsyet dhe argumentet” përse kërkuam seancë urgjente të dëgjohen nga të gjithë. Që të mos mendojnë se kjo është një përpjekje për të komplikuar situatën, përkundrazi ne do të ankohemi për shkeljen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për “gjithçka që po ndodh me popullin serb”, për “terrorin ndaj të cilit janë ekspozuar”, për përpjekjen për të ndaluar dinarin”, tha Daçiç.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme (duke përjashtuar dinarin serb), hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj. Kryetari i Listës Serbe thotë se largimi i dinarit nga sistemi i pagesave nënkupton vënien e serbëve në një “pozitë të padurueshme” dhe se është një “prelud i eksodit total të popullit serb” në territorin e Kosovës. Ai e cilësoi vendimin si “lëvizje përgatitore” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti./ZËRI